Profesoresha Ke Jing nderohet me Medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrit

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2147091958884802/

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/- “Medalja që ju ftoj të vini për ta marrë është shumë e vogël dhe shumë e lehtë për të mbajtur brenda gjithë gjerësinë dhe peshën e mirënjohjes dhe respektin tim dhe tonë për Ju”.

Kështu iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama, profesoreshës Ke Jing, të Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit, gjatë dorëzimit të Medaljes së Mirënjohjes së Kryeministrit, në sesionin përmbyllës të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kohës që jetoi dhe gjurmëve që la pas”.

“Duke ju dorëzuar këtë medalje unë dëshiroj që Ju ta merrni edhe si një nderim të posaçëm për katedrën e gjuhës shqipe dhe studimeve ndërkombëtare të Pekinit”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “ky vlerësim simbolik që sot me përulësi më jepet nderi t’i dorëzoj koleges suaj, të jeni të sigurtë që është një vlerësim për të gjithë këtë komunitet, për këtë bashkësi që meriton këtë vëmendje, siç meriton një vëmendje të posaçme albanologjia dhe mishërimi i saj më gjithëpërfshirës, gjuha shqipe”.

Kryeministri Rama tha se “jam i privilegjuar që jam sot këtu në përmbyllje të një përpjekjeje fisnike që ka përfaqësuar në kuadrin e vitit të Skënderbeut Konferenca Ndërkombëtare dhe Albanologjike kushtuar kohës dhe veprës së tij”.

“Jam mirënjohës të gjithë pjesëmarrësve dhe besoj që debatet mes jush, hulumtimet e shpalosura në më shumë se katër muaj punë, janë si ajo fara e mirë që tek bie mbi një truall jep me siguri më pas frutat e veta. Puna që qeveria ka mbështetur dhe ju ka pasur artizanë dhe dorëzanës të cilësisë shkencore të një konference që u kthye në një lloj samiti të studiuesve anembanë rruzullit, pa e ekzagjeruar, me fokus të qartë promovimin e studimeve shqiptare, meriton mirënjohje dhe falënderim të veçantë”, – nënvizoi Rama.

Më lejoni t’ju them, vijoi ai, se nuk është rastësi që kur ne vendosëm t’i akordonim një vlerësim publik një koleges suaj të nderuar nga Kina dhe një mikeshe shumë speciale të kombit tonë, profesoreshës Ki Jing, e bëmë që kjo të ndodhte pikërisht këtu mes jush, ku lëvruesit e albanologjisë mes tyre farkëtojnë edhe qenien e vetë albanologjisë, duke i dhënë asaj vazhdimisht frymë dhe ardhmëri”.

“Në një takim që shkrimtari Ismail Kadare zhvilloi para dy vjetësh me përkthyesit dhe përkthyeset e tij, u shpreh në adresën tuaj se, “… Ju i jeni kushtuar një gjuhe të vogël dhe të vështirë. Ne që jemi buka juaj e përditshme dhe autoritetet e këtij vendi mund të ndodhë që të mos kujtohemi për Ju”. Të gjithë gabojnë, – tha Rama. – Edhe Ismail Kadare gaboi dhe këtu del se ka gabuar, se ne u kujtuam për Ju. “Por të jeni e bindur, – vijoi Kadare në atë kohë, – se gjuha shqipe do t’ju jetë gjithmonë mirënjohëse””.

Sipas tij, kryevepra e kryeveprave në këtë lëmë është se profesoresha Ke Jing ia ka dalë që edhe Konfucin ta përkthejë e ta bëjë të tingëllojë si rapsod, në sensin e familjaritetit të tingujve të veshit tonë.

Profesoresha Ke Jing u shpreh se “kjo medalje është një surprizë e madhe për mua, sepse me ato punë modeste që kam bërë, kurrë nuk më ka shkuar në mend një nderim kaq i lartë dhe një respekt i veçantë. Ju keni shprehur ndaj meje duke shqiptuar me aq saktësi emrin tim”.

“Është një gjë e papritur për mua, edhe për shkak që njoh miq edhe intelektualë nga vendi im, që sipas mendimit tim e meritojnë më shumë se unë këtë nderim, sepse kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për marrëdhënie të mira mes dy vendeve tona. Por e kuptoj që ky nderim nuk është vetëm për mua personalisht, por është për gjithë komunitetin e albanologëve në Kinë”, – nënvizoi Jing.

Profesoresha Jing shprehu mirënjohjen ndaj Kryeministrit Rama për rëndësinë që i kushton gjuhës shqipe dhe zhvillimit të albanologjisë në botë.

“Sot për mua është një ditë e papërsëritshme, e quaj të tillë sepse lidhja ime me gjuhën shqipe, një gjuhë aq të lashtë dhe njëkohësisht aq të re, sepse është plot me gjallëri. Kjo lidhje filloi para 30 vjetësh kur isha 18-vjeçare dhe sot është një inkurajim i një niveli më të lartë për mua që të vazhdoj këtë rrugë të zgjedhur për gjithë jetën”.

“Ndihem shumë me fat dhe krenare që merrem me gjuhën shqipe”, – përfundoi Jing.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.