Kukësi, së shpejti një destinacion turistik për bullgarët

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/- “Kukësi do të jetë një destinacion turistik për bullgarët e kjo s’ka dyshim. Ne do të punojmë shumë për nxitjen e zhvillimit në këtë zonë me potenciale të shumta në turizmin malor, ekologjik e pasuri të shumta natyrore për të cilat kanë interes bizneset”.

Kështu deklaroi sot ambasadori i Bullgarisë në vendin tonë, Momtchil Stoyanov Raytchevski gjatë takimit me kryetarin e bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.

Ambasadori Raytchevski tha se “tashmë ne kemi një detyrim që të kemi qasje tjetër ndaj Shqipërisë në përgjithësi, e Kukësit në veçanti, jo vetëm si fqinj, por edhe si një vend mik e vëlla ku jetojnë bashkëatdhetarët tanë”.

“Bashkinë e Kukësit e shohim si partner të rëndësishëm për të bashkëpunuar në të gjithë sektorët, e sigurisht që do të ketë mbështetje për arsimin. Universitetet bullgare do të jenë të hapura për studentët e Kukësit”, – nënvizoi ambasadori Raytchevski.

Natyrisht, vijoi ai, që shumë projekte duan kohën e tyre dhe nuk mund të realizohen brenda një dite, por ne jemi të vendosur që të punojmë e mbështesim këtë zonë.

“Gradualisht po punohet edhe me aktet nënligjore, ç’ka ngarkojnë me përgjegjësi qeveritë e dy vendeve, për të patur më shumë vëmendje në zona të tilla që kanë pamundësi zhvillimi. Ne do të jemi bashkarisht në këtë rrugë dhe do të kemi kontakte të vazhdueshme. Kjo është vizita e parë e imja pas marrjes së detyrës e natyrisht do të jem shumë shpejt përsëri në Kukës për takime e zhvillime të tjera”, – u shpreh ambasadori.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu e njohu diplomatin bullgar me situatën aktuale të Kukësit, mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me shtetin dhe qeverinë bullgare.

“Më lejoni t’Ju uroj për emërimin në detyrë si ambasador i Bullgarisë në Shqipëri. Bullgaria është një shtet me të cilin kemi nisur një bashkëpunim të frytshëm, pas miratimit të ligjit për minoritetet, pjesë e të cilit është dhe komuniteti bullgar në nëntë fshatrat e bashkisë Kukës. Shpreh falënderimet për angazhimin dhe mbështetjen e Bullgarisë për Shqipërinë gjatë kryesimit të BE-së në 6-mujorin e parë të këtij viti”, – theksoi Shehu.

Në emër të qytetarëve të Kukësit, Shehu përcolli falënderimet edhe për akordimin e një numri të konsiderueshëm të bursave për arsimin e lartë në universitetet bullgare, nga të cilat kanë përfituar disa studentë e sot ndjekin studimet në Sofje.

“Shpresojmë që edhe për vitin e ardhshëm të kemi zhvillime të tjera për këtë zonë. Sigurisht që është një zonë me potenciale e resurse të shumta, qoftë në burimet natyrore, hidrike, turizmit malor, bimëve medicinale, por edhe intelektuale”, nënvizoi Shehu.

Kryetari i bashkisë së Kukësit u shpreh se “në këtë zonë ka patur investime kryesisht në zonën e Shishtavecit, e përzgjedhur tashmë në projektin e “100 fshatrave”, por kjo sigurisht nuk është e mjaftueshme për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të të gjithë zonës ku jetojnë banorët e komunitetit goran”.

Shehu kërkoi ndihmën e ambasadorit për t’i dhënë një tjetër shtysë zhvillimit të kësaj zone.

“Kryeministrat e dy vendeve tona, ai i Shqipërisë dhe Bullgarisë u angazhuan për rikonstruksionin total të shkollës së mesme të bashkuar në Shishtavec. Bashkia Kukës u angazhua seriozisht në hartimin dhe dërgimin në kohë të këtij projekti pranë qeverisë bullgare, ndaj kërkojmë ndihmën tuaj në nxitjen për realizimin në kohë të këtij projekti, duke treguar gatishmërinë e plotë të bashkisë për bashkëpunim”, – nënvizoi Shehu.

Ai theksoi nevojën e ngutshme për ndërhyrje dhe përmirësim të infrastrukturës rrugore në fshatrat e zonës, në sektorin e arsimit parashkollor e atij shkollor, në mbështetje të fermerëve etj.

“Ne mirëpresim çdo iniciativë që nxit zhvillimin ekonomik, e në këtë kuadër e shohim me shumë interes zhvillimin e një takimi me biznesin bullgar dhe praninë e tij në Kukës me investime që kanë interesa të përbashkëta, aq më tepër që tani Kukësi do të vërë në punë edhe një aset tjetër të çmuar që shkurton distancat, aeroportin, i cili do të nxisë më tepër interesin e biznesit për investime”, – tha Shehu.

Kryetari i bashkisë dhe ambasadori i Bullgarisë morën pjesë edhe në aktivitetin e organizuar nga shoqata “Gora Jonë”, në të cilin u promovua libri “Sistemi dialektor i të folmes në fshatin Shishtavec të Gores”, i autores bullgare Lucia Antonova-Vasileva./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.