FOTO/ Muzeu Kombëtar “Gjethi”, mes rrëfimeve dhe objekteve nga e kaluara e errët

TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ – Brezi i ri përditë e më shumë po afrohet me artin, kulturë dhe historinë e shkuar pasi janë këto hallka të zinxhirit që të rinjtë duhet t’i formojnë për të plotësuar identitetin e tyre duke i parë dhe prekur nga afër veprat dhe pjesë historie nga e kaluara.

Kjo gjë po realizohet edhe falë programeve specifike për brezin e ri që institucionet përkatëse po bëjnë ku një ndër to është: “Kujtojmë për të mos harruar”, ku të rinjtë njihen me të kaluarën e errët të periudhës së komunizmit në vendin tonë.

Shkolla “Qazim Turdiu” në Tiranë u bë sot pjesë e projektit “Kujtojmë për të mos harruar”, i cili zhvillohet në kuadër të programit të lançuar nga Ministria e Kulturës, “Edukimi mbi dhe përmes Kulturës”.

Në Muzeun Kombëtar ”Gjethi” të rinjtë u njohën nga afër me objekte mjaft interesante që janë përdorur në atë kohë si dhe u njohën gjithashtu me fakte reale nga tregimi i Uran Kostrecit ish- i dënuar politik, i cili paraqiti për brezin e ri fakte dhe përjetime reale.

Projekti ka si qëllim njohjen e brezave të rinj me të kaluarën e errët komuniste shqiptare si dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth pasojave të komunizmit.

Me anë të këtij projekti nxënësit pjesëmarrës patën mundësi jo vetëm të vizitojnë muzeun por edhe të bashkëbisedojnë me Uran Kostrecin, ish- i dënuar politik në kohën e diktaturës me 20 vite burg dhe 5 vite internim. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.