Bashkëpunimi me policinë greke, arrestohet 71-vjeçari duke trafikuar drogë

TIRANË, 2 nëntor/ATSH-A Fortuzi/- Policia e Shtetit falë bashkëpunimit me Policinë greke ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, duke arrestuar një 71-vjeçar nga Athina, e duke sekuestruar 94 kilogramë e 720 gramë Cannabis Sativa.

Policia Kufitare e Igumenicës në bashkëpunim me Antidrogën, kanë marrë njoftim nga Policia Kufitare e Sarandës, se efektivët e Policisë Kufitare Sarandë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë janë vënë në ndjekje të disa personave, të cilët dyshohej se po transportonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit jeshil, ku në tokën greke do i priste një automjet.

Rreth orës 08:00 në vendin e quajtur Sajadhe, Igumenicë, Policia greke ka ndaluar për kontroll mjetin me targa IPA 4427 me drejtues shtetasin grek Panajotis Petropullos, 71 vjeç, banues në Athinë, i cili u arrestua në flagrancë.

Nga kontroll i mjetit u konstatua se kishte ngarkuar lëndë narkotike Cannabis Sativa, ku nga peshimi rezulton se lënda narkotike ishte paketuar në 57 pako me peshë 94 kilogramë e 720 gramë.

Vijojnë hetimet e përbashkëta për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve shqiptarë që transportuan me krahë lëndën narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.