Ahmetaj: Borxhi publik në trajektore rënëse për të tretin vit radhazi

80

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/- Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, theksoi të enjten se “sot borxhi publik është në nivelin 68,9 % ndërsa bilanci primar parashikohet për të katërtin vit radhazi të jetë pozitiv, për vitin 2019 projektuar në nivelin suficit 0,5% të prodhimit të brendshëm”.

Në fjalën e tij në konferencën vjetore “Politika monetare, integrimi ekonomik dhe Normaliteti i Ri”, ku është i pranishëm Kryeministri Edi Rama, guvernatori i Bankës së Shipërisë Gent Sejko, etj., Ahmetaj tha se “për sa i përket politikës fiskale qeveria e Shqipërisë është e vendosur për të vazhduar konsolidimin fiskal deri sa niveli i borxhit publik të arrijë në nivele të pranueshme për një vend si yni”.

“Debati se sa është i pranishëm është borxhi publik për Shqipërinë gjithmonë diskutimi fillon nën 50% të Prodhimi të Brendshëm Bruto. Faktet dhe shifrat janë gjykuesi më i mirë i paketës së reformave të ndërmarra. Borxhi publik është në trajektore rënëse, për të tretin vit radhazi. Buxheti afatmesëm i prezantuar tashmë shpreh qartësisht synimin tonë për uljen e tij edhe në vazhdim”, tha Ahmetaj./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.