Aeroporti i Kukësit, vizitë në terren për ofertuesit e koncesionit

TIRANË, 1 nëntor/ATSH/- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të zhvillojë në 9 nëntor një vizitë në terren, me qëllim informimin e ofertuesve mbi disa detaje konkrete të projektidesë për dhënien me koncesion të aeroportit të Kukësit.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kjo vizitë do të kryhet në bazuar në pikën 1.4. të seksionit “Udhëzime për Ofertuesit” të Dokumentave të Procedurës Konkuruese (DPK) për dhënien me Koncesion/PPP “Për aeroportin e Kukësit”.

MIE informon se në përfundim të vizitës, pjesëmarrësit do të pajisen me një dokument pjesëmarrjeje, i detyrueshëm për t’u paraqitur në ofertë.

Aeroporti i Kukësit është një projekt strategjik i cili pritet t’i japë një zhvillim ekonomik të qarkut të Kukësit dhe do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.

Fluturimet nga ky aeroport priten që të fillojnë vjeshtën e ardhshme, duke krijuar lehtësi në udhëtim për banorët e zonës e më gjerë, si dhe impakt në ekonominë e vendit./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.