Transformim i Shishtavecit në një destinacion të turizmit dimëror

Transformim i Shishtavecit në një destinacion të turizmit dimëror

Transformim i Shishtavecit në një destinacion të turizmit dimërorhttp://ata.gov.al/2018/10/31/transformim-i-shishtavecit-ne-nje-destinacion-te-turizmit-dimeror/Transformimi i Shishtavecit në një destinacion të rëndësishëm turistik për turizmin dimëror do të kthehet shumë shpejt nga një ëndërr në një realitet shumë të prekshëm. Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Shishtaveci, ndërsa prezantoi projektin e dy djemve nga Kukësi, të cilët së bashku me investitorë dhe specialistë sllovenë do të ndërtojnë një resort skish në këtë zonë. Ky është një projekt që, sipas Ramës, do të sjellë transformim të madh për të gjithë Kukësin, por edhe për ekonominë tonë.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 31 Tetor 2018

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Transformimi i Shishtavecit në një destinacion të rëndësishëm turistik për turizmin dimëror do të kthehet shumë shpejt nga një ëndërr në një realitet shumë të prekshëm.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Shishtaveci, ndërsa prezantoi projektin e dy djemve nga Kukësi, të cilët së bashku me investitorë dhe specialistë sllovenë do të ndërtojnë një resort skish në këtë zonë.

Ky është një projekt që, sipas Ramës, do të sjellë transformim të madh për të gjithë Kukësin, por edhe për ekonominë tonë.

“Dy djem nga zona këtu, bashkë me disa investitorë dhe specialistë sllovenë do ta realizojnë këtë projekt. Në këtë zonë ne do të shohim modelet e para të zhvillimit të turizmit malor”, – tha Rama.

Edhe ndërtimi i aeroportit të ri të Kukësit, sipas Ramës, e bën shumë herë më të thjeshtë dhe të mundur këtë projekt ambicioz.

“Edhe sikur ne ta kishim sot resortin, do të duhej që turistët e huaj të fluturonin për në Prishtinë apo Tiranë dhe pastaj të vinin këtu. Ata që ndjekin zhvillimet e industrisë së turizmit e dinë se çdo destinacion që i kalon 60 minuta nga aeroporti, fillon dhe vështirësohet, sepse ata që i dedikojnë pushimet e tyre një udhëtimi turistik nuk preferojnë të udhëtojnë gjatë nga aeroporti deri në destinacion”, – tha Rama.

Duke folur për turizmin, Rama tha se “për shkak të traditës më të hershme ne gjithmonë e kemi parë turizmin të lidhur me detin”.

“Ne gjithmonë kemi menduar e besuar se deti është potenciali ynë i vetëm turistik, por gjithmonë e më shumë, po shohim dhe po kuptojmë se në numrin në rritje të turistëve të huaj deti zë pjesën kryesore, por ka një kategori të veçantë që rritet vazhdimisht, të turistëve që vijnë në Shqipëri për zonat malore dhe gjithë atraksionet e zonave më të thella”, – tha Rama.

Kjo është një sfidë e madhe, tha Rama, pasi sipas tij, “në mënyrë të padyshimtë zhvillimi i turizmit është rruga për daljen nga varfëria e këtyre zonave”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.