“Largimet jashtë vendit”, Rama: Nuk është fenomen shqiptar

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Në Shqipëri nuk po ndodh asnjë gjë e veçantë me largimin e shqiptarëve nga vendi, por po ndodh një fenomen që të tjerët e kanë kaluar më parë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, nga Kukësi, duke komentuar deklaratat e ndryshme lidhur me largimin e shqiptarëve jashtë vendit.

“Nuk ka asnjë ikje të veçantë nga shqiptarët në këtë periudhë. Ka shqiptarë që ikin, ka që vijnë. Ata që vijnë janë më pak normalisht, por kush ikën është në të drejtën e vet, për të krijuar jetën e vet, aty ku do”, – tha Rama.

Ndërkohë shqiptarët që kthehen, sipas tij, sjellin investime. “Ndryshe nga të gjithë ata që derdhin lotë krokodili dhe mund të jenë shkaktarë, unë hyj tek ata njerëz që nuk e shohin si tragjedi, por si pjesë të historisë sonë. Ne nuk jemi më në bunker, ku kemi qenë për gjysmë shekulli”, – tha Rama.

Çështja është, vijoi ai, se si t’i bëjmë të interesuar ata për të investuar në Shqipëri dhe pastaj është e drejta e secilit, se ku vendos të jetojë dhe punojë.

Ndaj, Kryeministri nënvizoi hapësirat që po krijon qeveria në drejtim të agroturizmit për nxitjen e interesit të emigrantëve shqiptarë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.