Infrastruktura rrugore 2019-2021, do të përfitojë 2,8% të PBB

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ – Një nga prioritet e qeverisë shqiptare janë edhe investimet në infrastrukturën rrugore të cilat kanë një impakt direkt në ekonominë e vendit.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ndërsa prezantoi projektbuxhetin e vitit 2019 në mbledhjen e kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, theksoi se sektori i infrastrukturës do të përfitojë fonde mjaft të rëndësishme për kompletimin e një sërë veprash rrugore.

“Infrastruktura do të përfitojë fonde të rëndësishëm përgjatë viteve 2019-2021, me rreth 2,8% të PBB për këto vite. Synohet kompletimi i akseve rrugore nacionale, si rruga e Arbrit, Thumanë-Vorë-Kashar, Milot-Balldren, Orikum-Dukat, brenda vitit 2021 me projektin “1 miliard” si dhe potencialisht Tiranë-Durrës me zgjerimin me 3 korsi, pra në total 6 korsi të aksit kryesor të vendit, Tiranë-Durrës dhe vazhdimin e përmirësimit më tej nëpërmjet një aksi të ri, Vorë-Rrogozhinë. Kompletimi i pjesës dërmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me financim të brendshëm gjatë vitit 2021, si Kardhiq-Delvinë, Elbasan-Banjë, bajpasin Shkodër, bajpasin Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës. Kompletimi i segmenteve rrugore brenda 2021 me financim të huaj si bajpasi i Fierit, që do të bëhet i kalueshëm përpara verës 2019, bajpasi i Vlorës, Qukës-Qafë-Plloçë”, – theksoi ministri Ahmetaj.

Duke u ndalur te fondi i mirëmbajtjes së rrugëve, ai tha se është më i larti në 25 vitet e fundit, i cili prek vlerën prej 3.7 miliardë lekë.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.