FOTO/ Projekti “100+ fshatrat” në Lukovën e detit, agroturizmit dhe arkitekturës

TIRANË,31 tetor /ATSH/ – Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës u bënë pjesë e grupit të inspektimit në kuadër të projektit “100+ fshatrat”, i cili këtë radhë kishte në fokus fshatin Lukovë.

Përgjatë vizitës në Lukovë u inspektuan objektet monument kulture të zonës dhe gjendja e konservimit të tyre. Gjithashtu u bë dokumentimi fotografik i banesave karakteristike të zonës së bashku me tipologjitë e elementëve të sistemimit dhe rrethimit.

Projekti “100+ fshatrat” kërkon të ndërtojë modele zhvillimi, të cilat do të shtrihen në 100 fshatrat shqiptare dhe do të shërbejnë si modele të zhvillimit rural me fokus agro turizmin.

Lukova tashmë është në listën e 100 fshatrave të cilët do të kenë prioritet turizmin. E përzgjedhur jo vetëm për natyrën por edhe arkitekturën e veçantë, Lukova është një prej 4 fshatrave të bashkisë së Himarës të cilat do të njohin ndryshime në standardin e ofrimit të shërbimeve.

Natyra e mrekullueshme, deti, mali, agroturizmi dhe arkitektura e bëjnë këtë fshat të ketë shumë për të ofruar.

Lukova është e pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika.

Ajo shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek ato më të populluara e njohura mirë nga pushuesit si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.

Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet e arta, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që fsheh Lukova. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.