Spalleti shuan entuziazmin e interistëve: Nuk e konkurrojmë “Juventusin”

TIRANË, 30 tetor/ATSH-A. Fortuzi/- Trajneri i skuadrës së “Interit”, Luçiano Spalleti ka theksuar se nuk është skuadra zikaltër që mund të konkurrojë “Juventusin” për titullin.

Ai gjatë një prononcimi për mediet italiane, u shpreh se fitorja ndaj “Lacios” (3-0 mbrëmjen e të hënës) ishte e rëndësishme, por tregoi se nuk mund të konkurrojë “Juventusin”, pasi skuadra nuk ruan të njëjtin ritëm gjatë gjithë lojës.

“Më pëlqeu vetëm pjesa e parë me ‘Lacion’. Skuadra duhet të mbajë ritmin në 90 minuta”.

“Paraqitja e ekipit është gjëja më e rëndësishme. Kemi mundësinë të kontrollojmë ndeshjen siç e bëmë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën kemi humbur topin më shumë sesa duhet, duke lejuar “Lacio-n” të na shkaktonte probleme.

Prandaj them që nuk jemi anti-“Juve”. Luajtëm mirë në pjesën e parë, dhe kaq. Kjo është ambicia e “Interit”, të ketë mentalitetin dhe të kontrollojë ndeshjen në “Olimpico” ndaj një ekipi cilësor”, tha Spalletti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.