Platforma e bashkëqeverisjes, rreth 16 mijë raste të zgjidhura

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ – Platforma e bashkëqeverisjes po fuqizohet dita ditës, dhe ka arritur të zgjidhë rreth 16 mijë raste. Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takimi me banorë të Hasit, ku u pasqyruan dhe disa raste të zgjidhura nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

“Në të gjithë territorin janë hasur probleme të mbartura prej vitesh, me hipotekën, pensionet, ALUIZNI-n, mbifaturimin e dritave, me tatimet, me diplomat, të të gjitha llojeve, probleme që kthehen në pamundësi, sepse në një zyrë ku duhet të merret ajo që të takon, ngec”, theksoi kreu i qeverisë.

Kryeministri sqaroi se ndryshe nga sa thuhet, “platforma është transformimi përmes teknologjisë i zyrave të marrëdhënieve me publikun, por që në të shumtën e herës kanë qenë vende ku njerëzit linin një letër dhe shprehnin një pakënaqësi, por nuk kanë marrë një përgjigje”.

”Platformën mjafton ta shkarkoni ne celular apo t’i drejtoheni postës, apo njësisë administrative, apo në zyrat që Partia Socialiste ka hapur për ata që nuk kanë akses në internet dhe për tre minuta bën ankesën dhe brenda 10 ditësh merr përgjigje, ose zgjidhjen”, – theksoi Kryeministri Rama.

Ai vuri në dukje se raste që tregohen në takimet me qytetarët janë shumë kuptimplota për të inkurajuar të gjithë ata ta përdorin.

“Rrugët e lehta mund të braktisen, sepse platforma të mundëson të kesh mikun më të madh, ministrin apo ministren, dhe është ky ministër që ka detyrimin të të japë zgjidhje dhe të raportoje në kohë reale. Dhe nga ana tjetër kjo është një ndihmë shumë e madhe për të identifikuar individët që nuk përgjigjen, për t’i çuar ata përpara drejtësisë. Më pas nis një hetim administrativ për të nxjerrë përgjegjësin. Shumë persona janë larguar nga puna e janë çuar për ndjekje penale”, – theksoi Kryeministri Rama.

“Une dua t’i falenderoj sot ata që kanë ardhur këtu për të përçuar mesazhin. Në fund të fundit çfarë do të thotë të qeverisësh me njerëzit, do të thotë që njerëzit mos kenë probleme për shkak të vëmendjes së shtetit ndaj tyre. Pra, shteti ta marrë seriozisht dhe ta zgjidhë problemin e tyre. Është fakt që një deputet për t’u lidhur me një ministër nuk lidhet dot aq shpejt sa lidhet një qytetar nëpërmjet platformës. Ky është një akses që njerëzit nuk e kanë pasur kurrë më parë, e do shkojë duke u bërë më i përdorur nga njerëzit e duke u bërë me i dobishëm e të vazhdojë të përmirësohet administrata”. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.