Perez do Murinjon në Madrid, Konte mund ta zëvendësojë te “Manchester United”

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ – Fiorentino Perez presidenti “Realit të Madridit”, po planifikon rikthimin e Hose Murinjons në “Santiago Bernabeu”. Ndërsa Antonio Konte mund ta zëvendësojë portugezin në stolin e “djajve të kuq”.

Atëherë kur pritej vetëm zyrtarizimi i Antonio Kontes në stolin e “Realit të Madridit”, gjithçka ndryshoi.

Pas shkarkimit të Lopeteguit nga pankina e “Realit”, drejtimi i skuadrës i është dhënë Solarit përkohësisht. Sipas shtypit spanjoll, presidenti Florentino Perez kërkon të rikthejë Murinjon në Madrid. Portugezi ngelet i preferuari i presidentit të “Realit”. Ndërkohë nga ana tjetër Konte e di që në verë mund t’i paraqitet një mundësi e madhe për të drejtuar “djajtë e kuq” të “Manchester United”.

Pyetja që lind është përse pronarët e “Manchesterit” nuk e shkarkojnë Murinjon pas gjithë këtyre rezultateve zhgënjyese të këtij fillim sezoni. Por një largim i portugezit gjatë sezonit do ti kushtonte pronarëve të klubit mbi 30 milionë euro, ndërsa një ndarje konsensuale në fund të sezonit shumë më pak.

Nëse do të ndodhë ky skenar, kjo do të ishte hera e dytë që Konte shkon në një klub pas largimit të Murinjos, si ndodhi vite më parë kur Konte mori drejtimin e “Chelsit” pas largimit të Murinjos. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.