Ngjarja në Bularat, Meta: Ngjarja të mos përdoret për retorikë nacionaliste

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ – Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar përmes zëdhënësit për ngjarjen në Bularat, ku mbeti i vrarë nga RENEA ekstremisti grek Kostandinos Kacifa, pas shkëmbimit të zjarrit me policinë shqiptare.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar, e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.

Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do të vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie. Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.

Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes “Partizani”-“Skënderbeu” është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme. Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke. Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.