IRLANDË – Adams zbulon recetat sekrete të Marrëveshjes së Paqes

DUBLIN, 30 tetor /ATSH-AFP/ – Lideri historik i partisë nacionaliste irlandeze ”Sinn Fein”, Gerry Adams, deri tani më tepër i njohur për militantizmin politik, zbulon sekretin më të fshehtë të procesit irlandez të paqes me publikimin e një libri me… receta gatimi.

”Libri i gatimit i negociatorëve”  (“The Negotiators Cookbook”) paraqet me detaje recetat e pjatave të konsumuara nga republikanët gjatë bisedimeve që çuan në finalizimin e Marrëveshjes së Paqes së të Premtes së Shenjtë midis unionistëve, shumica protestantë, dhe republikanëve katolikë, që i dhanë fund në vitin 1998 tri dekadave trazira të përgjakshme.

”Kjo është dhurata më perfekte për Krishtlindje”, pohon ish-lideri i ”Sinn Fein” i cili e ka pagëzuar veprën e tij jo shumë voluminoze “The Peas Process” – në gjuhën angleze duke luajtur me fjalët paqe (peace) dhe bizele (peas), që shqiptohen pothuajse njësoj.

Sipas tij, britanikët ishin të rezervuar t’u ofronin për të ngrënë negociatorëve, cilido qoftë kampi i tyre.

Kryeministri laburist i atëhershëm, Tony Blair vendoste në tyezë sipas rastit pizza ose gatime kineze.

“Kur mblidhni një grup republikanësh të uritur, ju duhet t’i ushqeni ata”, sqaron autori 70-vjeçar në një video me rastin e publikimit të librit.

Libri me një çmim prej 9,99 eurosh radhit receta supash, makaronash, sallash, peshqish ose gatime vegjetariane si dhe ëmbëlsira./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.