HAPËSIRË – NASA njofton fundin e teleskopit hapësinor Kepler

UASHINGTON, 30 tetor /ATSH-AFP/ – NASA njoftoi sot se teleskopi hapësinor Kepler nuk kishte më karburant dhe u fik pas nëntë vitesh në orbitë rreth Diellit.

Teleskopi hapësinor kishte për mision të gjente planete të tjera në kufijtë e galaktikës dhe të universit, përtej sistemit diellor. Sipas shumë astronomëve që e kanë përdorur, ai e ka tejkaluar misionin e tij.

“Si misioni i parë i kërkimit të planeteve të tjera nga NASA, Kepler ka tejkaluar pritshmëritë tona dhe i ka hapur rrugën eksplorimit dhe kërkimit tonë për jetë në sistemin diellor dhe përtej”, deklaroi Thomas Zurbuchen, përgjegjës i drejtorisë shkencore të NASA-s.

“Kepler tregoi se 20 deri në 50% e yjeve të dukshme që nga Toka kishin me shumë mundësi planete të vogla, ndoshta prej guri dhe me një madhësi sa ajo e Tokës, në një zonë që konsiderohet e banueshme”, theksoi NASA.

Që do të thotë se këto planete ndodhen në një distancë nga ylli i tyre ku uji i lëngshëm, që konsiderohet si përbërësi i domosdoshëm për jetën, mund të jetë i pranishëm në sipërfaqe. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.