Çeku i bebeve, Rama: Shlyem 5.5 milionë dollarë borxhe nga qeveria e kaluar

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ – Në takimin që Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e së martës në zonën e Hasit, një vëmendje të veçantë ju kushtua edhe nismës së fundit të qeverisë, siç është çeku i bebeve të porsalindura.

Duke ju përgjigjur interesit të një qytetari nga Hasi, Kryeministri Rama theksoi se qeveria paraardhëse kishte akumuluar 5.5 milionë dollarë borxhe nga mosshpërndarja e çekut të bebeve.

“E pata vënë unë kur isha në bashkinë e Tiranës atë 50 mijë lekëshin, ishte një mbështetje simbolike për t’i thënë ‘Mirë se erdhe!’ një bebeje. 50 mijë lekë të vjetra përpara 15 vitesh dhe mbeti aq dhe degradoi, degradoi deri në pikën që nuk jepeshin lekët. Kur ne erdhëm në qeveri, kishte 5.5 milionë dollarë borxh qeveria e kaluar për bebet. Ne i lamë ato 5.5 milionë dollarë, por çfarë ndodh, ndodh që ato para ose bashkitë i marrin dhe i çojnë për gjëra të tjera, ose gjatë rrugës në kanalin e Thesarit shkojnë për gjëra të tjera etj. Me politikën e re të bebes, që do të jetë 400 dollarë për fëmijën e parë, 800 për të dytin dhe 1200 për të tretin, do ta bëjmë direkte, do ta bëjmë pagesën direkte që në regjistrimin në maternitet, lekët do të kalojnë direkt në llogarinë e familjes. Këtu dua të sqaroj diçka, se e dëgjoj herë pas here, po të bëjmë 2 përnjëherë, si do të ndahen lekët? Do të marrin të dy 800 mijë, po u bënë tre përnjëherë, të tre nga 1200”, – theksoi Rama.

Me shpërndarjen e re të pagesave për bebet e porsalindura, pagesat nuk do të tërhiqen më në bashkitë apo njësitë bashkiake, por ato do të merren menjëherë në maternitet duke shkurtuar kohën fizike të tërheqjes së tyre, si dhe duke shmangur mosdhënien e tyre. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.