Ahmetaj: Sistemi i ri i monitorimit të transaksioneve, asnjë kosto shtesë për biznesin

TIRANË, 30 tetor/ATSH-A. Fortuzi/- “Borxhi publik që na e lanë në kurriz zonja Tabaku dhe kolegët e saj në qeveri, do të vazhdojë të ulet për të katërtin vit radhazi në 65,5%”, deklaron ministri i Financave Arben Ahmetaj, në reagim të deklaratës së deputetëve të PD, të cilët “bënë thirrje që sistemi i ri i monitorimit të transaksioneve të biznesit, të mos zbatohet”.

“Dolën sot (PD) dhe bënë thirrje që sistemi i ri i monitorimit të transaksioneve të biznesit, të mos zbatohet! Pra, ta pengojmë administratën të performojë më mirë, ta lemë informalitetin pa luftuar, t’i lemë të ardhurat pa mbledhur, t’u mohojmë qytetarëve shërbime më të mira publike, por edhe bizneseve një informacion më të qartë dhe në kohë, për transaksionet e deklaruara të tij me çdo biznes tjetër”, thekson Ahmetaj.

“Jo, koha e SHQUP-it ka mbaruar! Nuk kthehet më mbrapa vendi dhe as qytetarët, të vuajnë politikën e rrënimit që mbjell SHQUP-i. Sistemi nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për biznesin”, sqaron ministri.

Përkundrazi, vijon Ahmetaj, do të ulë kostot e rënda të sistemit aktual që kemi trashëguar nga koha kur SHQUP-i imponoi kasa me kosto të paktën 300 euro vetëm për instalimin, pa folur për mirëmbajtjen, por që sidoqoftë nuk do të jetë aspak kusht që të dalin nga funksioni”.

Ai sqaron më tej se “procedura e përdorur për prokurimin e sistemit të monitorimit të faturimit nga ana e AKSHI-t është procedurë e hapur, procedura më transparente në ligjin e prokurimit publik. Po çfarë procedure duhet të ndiqet që të sigurohen sistemet për administratën, meqë procedura e hapur, procedura më transparente e ligjit, nuk është e duhur?”

Sipas logjikës së tyre, deklaron ministri, “kushdo që përmendet në deklaratat e SHQUP-it, duhet të mos fitojë në konkurrimet publike edhe nëse i takon. Dhe me keq akoma, nëse skualifikohet për shkak të parregullsive, SHQUP-i del e trumbeton fitoren e “presionit” të tij”.

“Flasin përçart për vendosje monopoli në sistemin e faturimeve. Mësojeni zotërinj të SHQUP-it, se sistemi i monitorimit të kasave është monopol edhe sot, nuk ka disa sisteme monitorimi, është vetëm një sistem dhe po, është monopol shtetëror, e ka administrata tatimore! Dhe procedura e re kërkon ndërtimin e sistemit po për Administratën Tatimore. Nuk ka koncesion!”, nënvizoi ministri i Financave.

“Dhe meqë zonja merr përsipër të flasë për ekonominë, e vërteta qëndron tek shifrat: Vitin e ardhshëm ekonomia shqiptare do të kapë rritjen ekonomike 4,3%. Borxhi publik që na e lanë në kurriz zonja Tabaku dhe kolegët e saj në qeveri, do të vazhdojë të ulet për të katërtin vit radhazi në 65,5%. 87.5 miliardë lekë investime publike; mbi 65 mijë punonjës të administratës në shëndetësi, arsim parauniversitar, mbrojtje, diplomaci dhe sistemi penitenciar do të kenë rritje pagash në vitin 2019”, deklaron Ahmetaj.

Gjithashtu ai thekson se “mbi 30 mijë familje do të përfitojnë nga politika e re e shpërblimit të lindjeve. Mbi 15 mijë investitorë do të përfitojnë nga ulja e normës së dividendit. Mbi 15 mijë të punësuar do të përfitojnë nga ulja e kufirit të taksimit të pagës me 23%”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.