Zv/Presidentja e Senatit francez: E impresionuar nga arritjet e qeverisë, mbështetje për integrimin

TIRANË, 29 tetor/ATSH-A. Fortuzi/- Në vijim të ftesës drejtuar Partisë Socialiste të Francës, Sekretariati i Marrëdhënieve me Jashtë i Partisë Socialiste të Shqipërisë priti zyrtarisht senatoren Hélène Conway Mouret, e cila mban postin e zv/Presidentes së Senatit francez dhe anëtare e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.

Sipas njoftimit për shtyp, Mouret pati një axhendë të ngjeshur takimesh me aktorë të politikës shqiptare.

Ajo zhvilloi një takim me homologët e saj në Ministrinë e Mbrojtjes, me përfaqësues të Ambasadës franceze në Shqipëri, me investitorë francezë në Shqipëri, me përfaqësues të Kuvendit si dhe me Sekretariatin e PS-së, si mundësuese e vizitës zyrtare të Mouret, kryesuar nga Taulant Balla, Sekretar i Përgjithshëm i PS.

Bisedat u fokusuan tek marrëdhëniet me jashtë, fusha e mbrojtjes dhe forcave të armatosura, si dhe shtrirja e urave të bashkëpunimit në fushën e turizmit, kulturës dhe edukimit.

Gjatë takimit me Sekretariatin e Partisë Socialiste, Mouret u shpreh se ndihej e impresionuar nga puna intensive e kryer nga qeveria Rama, si dhe lëvizjet e guximshme të Kryeministrit dhe kabinetit të tij në luftën ndaj informalitetit, korrupsionit si dhe përgëzoi qeverinë për fokusin e vendosur në agroturizëm, arsim profesional dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Vizita në institucionet shqiptare la mbresa tek përfaqësuesja e Senatit francez, e cila u zotua të përcjellë rekomandime pozitive për Shqipërinë, qofshin këto për bashkëpunime të ardhshme mes Francës dhe Shqipërisë, ashtu edhe për integrimin në familjen europiane.

Mouret ofroi mbështetjen e saj dhe u zotua të përcjellë tek populli dhe qeveria franceze përmirësimet dhe arritjet e qeverisë së Shqipërisë në rrugën e reformave e procesit të integrimit të Shqipërisë në rrugën e përbashkët europiane.

Vizita e Mouret, do të pasohet nga vizita zyrtare e Presidentit Emmanuel Macron në vendin tonë, i cili do të pritet nga Kryeministri Edi Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.