Ronaldo: Largimi nga “Reali”, presidenti Perez nuk më vlerësonte

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ – Kristiano Ronaldo u largua nga “Reali i Madritit”, sepse presidenti i klubit Fiorentino Perez nuk e vlerësonte.

Këtë lajm Ronaldo e bëri publik gjatë një intervistë ekskluzive për revistën franceze “France Football” që është edhe krijuesja e Topit të Artë. Ylli portugez ka treguar për herë të parë arsyet e largimit të tij nga “Reali i Madridit”. Sipas Ronaldos fajtori për largimin e CR7-ës nga “Los Blancos” ka qenë vetëm presidenti Florentino Perez.

“E ndjeva ftohjen nga brenda klubit, veçanërisht nga presidenti, se nuk më konsideronin me të njëjtën mënyrë, sikurse bënë në fillim. Në katër apo pesë vitet e para atje, kisha ndjesinë se jam “Cristiano Ronaldo”. Më pas gjërat ndryshuan disi, pak e nga pak. Presidenti nuk më vështronte në sy, sikur nuk isha më i domosdoshëm për ta. Besoj e kuptoni se çfarë dua të them me këtë. Kjo situatë më bëri të mendoj largimin. Ndonjëherë shtyhesha më tepër në këtë drejtim, kur lexoja lajmet, në të cilat drejtuesit thoshin se po kërkoja të largohesha. Kishte pak deklarata të tilla, por e vërteta është se gjithmonë kam pasur përshtypjen se presidenti nuk donte të më mbante si më parë”.

I pyetur se përse zgjodhi “Juventusin” dhe jo klub tjetër, Ronaldo tregoi arsyet e tij, te bardhezinjtë është ndjerë i vlerësuar që në momentin e parë.

“Nëse do të kishte qenë për paratë, do të shkoja në Kinë, ku do të kisha fituar pesë herë më shumë se këtu, te ‘Juventusi’, ose te ‘Real Madridi’. Unë nuk kalova te ‘Juve’ për paratë. Kam fituar të njëjtën shumë edhe në Madrid, madje dhe më shumë. Dallimi është se, te ‘Juventus’, me të vërtetë më donin. Ata m’a thanë dhe m’a bënë të qartë këtë”. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.