Programet profesionale, rreth 1700 studentë në 70 profile të reja

105

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ – Rreth 1700 studentë zgjodhën këtë vit programet profesionale 2-vjeçare.

Nga Durrësi, ku mori pjesë në inaugurimin e ndërtesës së re të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu”, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla tha se numri i programeve profesionale ka shkuar në 70, nga 14 që ishte vite më parë.

Programet profesionale 2-vjeçare kanë qenë zgjedhja e rreth 1700 studentëve këtë vit, ndërkohë që oferta e përzgjedhjes është rritur, duke shkuar në 70. Nikolla u bëri thirrje universiteteve që përmes ofertës akademike t’u përgjigjen nevojave të tregut të punës ndërsa informoi studentët se pas studimeve 2-vjeçare do të ketë edhe një sistem gjurmueshmërie të punësimit të tyre.

“Është një lajm shumë i mirë që në këtë program Universiteti i Durrësit nuk ka asnjë kuotë të lirë, pra kemi një rritje numri të studentëve në programet dyvjeçare, që do të thotë një mendësi e re për ta kultivuar tek të rinjtë dhe të rejat që nuk është thjeshtë dhe vetëm një diplomë “Bachelor”, apo “Master” studimesh që mundëson suksesin në tregun e punës, por janë edhe programe të tilla”, – theksoi ministrja Nikolla.

Ministrja bëri me dije se këto programe janë zgjedhur në masë edhe nga maturantët me mesatare mbi 6.

“Jo domosdoshmërisht programet dyvjeçare janë zgjedhje e studentëve me mesatare nën 6, pasi 27% e të gjithë të regjistruarve në programe dyvjeçare rezulton që kemi një mesatare edhe mbi 6. Duhet përgëzuar dhe duhet përshëndetur për të parë dy programe dyvjeçare jo vetëm si të dorës së dytë apo dorës tretë, por janë studime të larta që mundësojnë patjetër punësimin shumë më shpejtë në tregun e punës dhe nga ana tjetër nuk ngushtojnë aspak zgjedhjen e çdokujt që ka nevojë për karrierë, për të rifilluar një program të dytë studimi. Janë 328 nga 1655 studentë që janë në fazën e notës mesatare midis 7 dhe 8, janë 89 midis 7 dhe 8 dhe mbi 8 kemi 11 studentë”, – theksoi ministrja Nikolla.

Ministrja e Arsimit paralajmëroi universitet publike ku nuk pati plotësim totalisht të kuotave, se do të ketë një analizim të situatës dhe të ofertës akademike, orientuar drejt tregut të punës dhe kontekstualizuar edhe më rajonin ku ofrohet ky profesion për të pasur sa më shumë efektivitet për studentët e ardhshëm.

/z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.