“Përgjigja ime”, Rama: Mbi 26 mijë persona të punësuar nga zyrat e punës

143

PERGJIGJA IME

Posted by Edi Rama on E hënë, 29 Tetor 2018

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një qytetari në rubrikën “Përgjigja ime” duke folur për një sërë çështjesh sociale dhe iniciativat e fundit të ndërmarra nga qeveria.

Kreu i qeverisë, pasi dha një sërë shembujsh në të cilat tregon se varfëri nuk është një fenomen, i cili është ulur këmbëkryq në vendin tonë, duke shtuar se qeveria është duke punuar për nxjerrjen e familjeve të varfra nga gjendja jo e mirë ekonomike, duke i stimuluar me punësim dhe një sërë politikash sociale.

“Fatmirësisht këto familje në varfëri ekstreme nuk janë me mijëra, sepse po të ishin me mijëra do t’i shihnim rreth e rrotull nesh, siç ndodh në vend ku varfëria ekstreme është ulur këmbëkryq, por në fakt dhe fatmirësisht nuk është kështu. Ndërkohë ne i kemi listuar dhe po i ndihmojmë pak nga pak dhe hap pas hapi, në çdo qark dhe bashki, sikurse ka bërë dhe vetë ekipi i jashtëzakonshëm i çunave të Fundjavës Ndryshe, të cilët po punojnë për një projekt fantastik bashkëpunimi që do ta prezantojmë së shpejti dhe besoj se do t’i pëlqej të gjithëve. Këto nisma për të ndihmuar individualisht familjen në kushte varfërie ekstreme, janë shprehje të një solidariteti njerëzor dhe vullneti të mirë dhe me thënë të vërtetën nga ana e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogertës dhe sigurisht edhe nga ana ime që me kënaqësinë më të madhe, i jap një dorë asaj në një drejtim kaq domethënës. Por politikat sociale janë të tjera dhe krejt ndryshe nga më parë”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Në përgjigjen e tij ndaj një qytetari, Kryeministri u ndal edhe te rimbursimi i ilaçeve dhe ndihma ekonomike, e cila sipas tij para disa vitesh ishte e papërfillshme.

“Këto familje jetonin kështu prej dekadash dhe deri dje merrnin gjysmën apo 1/3-tën e ndihmës ekonomike që marrin sot. Deri dje nëse sëmureshin, nuk e merrnin dot një kokërr ilaç me rimbursim. Sot u rimbursohet çdo ilaç i listës së barnave të rimbursueshme”, – vijoi ai.

Librat falas dhe rimbursimi i energjisë elektrike për një sërë kategorish, ishte pjesë e përgjigjes së Kryeministrit në rubrikën “Përgjigja ime”.

“Deri dje mezi i çonin, ose nuk i çonin fare fëmijët në shkollë, sepse nuk blinin dot librat, sot i kanë librat falas nga klasa e parë fillore, deri te klasa e katërt, vitin tjetër deri në të pestën dhe po sot, deri në fund të gjimnazit çdo libër i blerë u rimbursohet menjëherë. Sot gjithashtu u kompensohet një pjesë e faturës së energjisë elektrike dhe fatura e ujit dhe këto që po rendis nuk janë mrekullia, as nuk janë të mjaftueshme, kurrsesi për t’i larë duart me varfërinë e tyre, por ama nuk ekzistonin fare deri pak vjet më parë”, – u shpreh Rama.

Për të treguar edhe efektin e punësimit në rang kombëtar, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te shifrat e publikuara nga zyrat e punës, të cilat për periudhën janar-shtator kanë punësuar mbi 26 mijë persona.

Ti thua “këta njerëz duhen punësuar” dhe më kërkon që të shqyej portat për çfarëdolloj biznesi që të punësohen dhe jam shumë dakord me ty, por ama me një saktësim, sot nuk mungojnë vendet e lira të punës për ta. Nuk është se nuk kemi punësuar edhe prej kësaj kategorie, edhe pse jo sa duhet, sepse nga njëra anë mungojnë aftësitë, nuk është marrë kurrë njeri për t’ju dhënë një kualifikim pune, dhe nga ana tjetër dihet botërisht se përfshirja në tregun e punës e njerëzve të mësuar me ndihmën ekonomike është një sfidë e vështirë më vete, psikologjike në radhë të parë. Vetëm nga zyrat e punës, janë punësuar nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti, mbi 26 mijë persona. Dhe kur thua se njerëzit nëse kanë paga si në BE nuk do të ikin dhe do të punojnë këtu, jam dakord në teori, por realiteti nuk ka lidhje me këtë teori, sepse në teori, s’mund t’i kemi pagat si në BE, pasi nuk kemi zbuluar një shkop magjik që ta bëjë të mundur këtë”, – vijoi Kryeministri.

Sipas Kryeministrit “pagat nuk i rrit as dëshira ime dhe, as politika vetë, por i rrit ekonomia dhe të kërkosh që ekonomia jonë të jetë si një nga vendet e BE, është njësoj si të kërkosh që një fëmijë 5 vjeç të bëhet burrë 35 vjeç, pa kaluar qoftë edhe 1 vit.

Ne sot kemi shumë arsye për të qenë krenarë me ato që kemi arritur të bëjmë, por në raport me Shqipërinë që duam ka kaq shumë për të bërë, se vetëm vend për të qenë të kënaqur nuk ka.

Por një gjë është e sigurt ama, Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë më e gjallë sesa sot në betejën për t’u bërë shtet, për të krijuar punë, për të ndërtuar perspektivë dhe duan s’duan kazanët politikë dhe mediatikë, dhe kushdo që u vete rëndom pas avazit, asnjëherë si sot Shqipëria dhe njerëzit e saj të zakonshëm nuk kanë qenë më shumë në vëmendjen e atyre që qeverisin”, – përfundoi Rama.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.