Konferenca shkencore “Të mohuar nga regjimi”, dritë mbi të shkuarën

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/ – Burgjet, sistemi i internim-dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri në kohë të diktaturës komuniste kanë qenë subjekt i Konferencës Shkencore Ndërkombëtare, me temë “Të mohuar nga regjimi”, organizuar sot në Tiranë.

Konferenca u zhvillua pasditen e së hënës në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, e cila u mundësua nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Institutin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin e të Përndjekurve Politikë me mbështetjen e PNUD-it në Shqipëri, qeveria italiane, Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), Rrjeti Europian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS), Muzeu Historik Kombëtar.

Konferenca shkencore është e para e këtij lloji që zhvillohet në vendin tonë dhe ka si qëllim nxjerrjen në dritë të së shkuarës, si një mundësi për dialog dhe pajtim kombëtar të shoqërisë dhe ndriçimin e së ardhmes dhe shtetit demokratik në Shqipëri.

Kryetarja e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula tha se sot është ditë e shënuar për Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që organizon një konferencë e tillë.

“Faktet dhe dëshmitë nuk kanë dalë në dritë, dokumentet janë të shumta, por janë ende të pa shfrytëzueshme plotësisht. Në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera komuniste, persekutimi ka qenë mizor, e vërteta nuk ka dalë në pah. Vetëm një studim i bazuar në fakte mund të nxjerrë në pah të vërtetën. Si përfundim, e vërteta është ende e pazbuluar, historia e shumë të përndjekurve nga regjimi ende nuk është thënë. Vetëm një studim korrekt, i bazuar në fakte, mund të bëjë të mundur që historia bashkëkohore nga 1945-1990, të mund të kuptohet më mirë”, – shtoi ajo.

Sula theksoi se qëllimi ynë është të dëgjohet zëri i viktimave.

“Dosjet e Sigurimit të Shtetit janë një burim i rëndësishëm, por dëshmitë dhe arkivat familjare janë të rëndësishme dhe duhet të dëgjojmë zërin e tyre. Ne po vazhdojmë në bashkëpunim me institucionet të mbledhim dosjet e Sigurimit të Shteti dhe po i ripunojmë që të bëhen sa më të dobishme, po i deklasifikojmë për të mbrojtur gjërat personale, në mënyrë që interesi kombëtar të mbetet i pacenuar, por dhe interesat e individëve. E rëndësishme është që personave të mos u preket privatësia dhe këto dokumente t’i shërbejnë publikut dhe ne këto dokumente po i dixhitalizojmë”, – shtoi Sula.

Po ashtu, Sula tha se “Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka marrë përsipër të bashkëpunojë me familjet e viktimave dhe qëllimi është të dëgjohet zëri i viktimave. Fakti është se në dosjet e Sigurimit mungon zëri i tyre, procedurat kanë qenë jo ligjore. Përjetimi, rrjedhja e ngjarjeve, studimi i dokumentacionit, bëjnë të mundur të hedhim dritë për të shkuarën e regjimit komunist. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me vende të ngjashme dhe institucione homologe, për të bërë të mundur zbatimin e praktikave më të mira në kurimin e të shkuarës, ashtu si vende të tjera të Europës”.

Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP, Brian Williams theksoi se lajmi i mirë është se njerëzit vitet e fundit po besojnë të institucionet e shtetit, pasi është bërë shumë në këto vite.

Koordinatori i Përhershëm i OKB-së, Williams u shpreh se është një event i rëndësishëm, pasi kjo konferencë ndërkombëtare shkencore i bën analizën të shkuarës.

“Dua të theksoj, – tha Williams, – se studiuesit duhet të mbështeten në prova e fakte. Axhenda 2030 ka një objektiv, siç është ai i shtetit të së drejtës. Dhe si mundet të arrijnë institucionet besimin e publikut, nëse nuk thonë se çfarë ka ndodhur 50 vite në regjimin komunist. Lajmi i mirë është se njerëzit vitet e fundit po besojnë të institucionet shtetërore, sepse është bërë shumë në këtë drejtim vitet e fundit. Aktivitete të tilla do ta rrisin besimin e publikut tek institucionet”.

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt u shpreh se hapja e dosjeve të Sigurimit ka sjellë një ndryshim në Shqipëri.

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt theksoi se duhet dëgjuar zëri i ish-të përndjekurve politikë, duhen ruajtur kampet e vuajtjes së dënimit si Tepelena, apo burgu i Spaçit, duhet të çelen ekspozita dhe të vendosen emra rrugësh të atyre që vuajtën në regjimin komunist.

“Informacioni për ata që vuajtën është një proces i rëndësishëm. Një tjetër proces me rëndësi është dhe studimi shkencor për të nxjerrë në pah të vërtetën e regjimit komunist, që nxit një dialog normal në shoqëri. Njerëzit duhet të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës komuniste”, – tha ambasadori i OSBE-së në Tiranë.

Më tej, ambasadori Bernd Borchardt shtoi se “kërkimi akademik është i rëndësishëm, sepse konfirmon të kaluarën e regjimit. Ruajtja e qendrave të vuajtjes së dënimit si kampi i Tepelenës apo Spaçi, hapja e ekspozitave ku ata vuajtën dënimin, vendosjen emrave të rrugëve. Në këtë mënyrë ne arrijmë të kurojmë padrejtësinë. E di vetë shoqëria se çfarë ishte gabim dhe çfarë ishte e mirë nga e shkuara dhe është mirë të dëgjohet zëri i ish-të përndjekurve politikë. Në këtë kontekst nxitet për një eksplorim i të shkuarës, për të ndërtuar të ardhmen”.

Përfaqësuesja e Ambasadës italiane në Shqipëri, Raffaella Campanati theksoi se ky projekt ka si qëllim nxjerrjen në dritë të së shkuarës.

Përfaqësuesja e Ambasadës italiane në Shqipëri, Raffaella Campanati u shpreh se ky projekt financohet nga qeveria italiane në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si një mundësi për të nxjerrë në dritë të shkuarën e për të garantuar të ardhmen.

Ne kemi vendosur ta mbështesim këtë projekt për nevojën që ne kemi në mënyrë që të njohim të shkuarën dhe të adresojmë të ardhmen. Duke i dhënë zë të vërtetës nëpërmjet zërit të viktimave, ne mund t’u japim drejtësi njerëzve. Projekti synon që të nxisë transparencën dhe drejtësinë tradicionale, duke u ofruar mbështetje në ofrimin e dokumenteve të Sigurimit të shtetit dhe duke ofruar një dialog publik për pajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të komunizmit”, – tha Campanati.

Më tej ajo shtoi se “kjo konferencë është në përputhje me një nismë të Ambasadës tonë në Tiranë që është një studim i studiuesve dhe historianëve të cilët bazohen në marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë të Shqipërisë dhe Italisë”.

Duke sjellë një histori dramatike, Raffaella Campanati u shpreh se një shtetas italian, që u dënua nga regjimi komunist në Shqipëri, ende nuk ka një varr.

“Do të tregoj një histori që lidhet me Shqipërinë e diktaturës, ku fenomeni është transnacional, pasi një shtetas italian u dënua nga regjimi komunist me 22 vite burg në burgun e Burrelit dhe sot nuk ka një varr, ndonëse Ambasada italiane është përpjekur prej vitesh për ta gjetur”, shtoi në fund ajo.

Historiani, Beqir Meta tha se jemi ende në sipërfaqe të studimit për të shkuarën e regjimit komunist.

“Studimi ka rëndësi në dimension humanitar, por studimet janë të vlefshme për ne dhe shoqërinë, sepse vuan depresionin e asaj periudhe. Shoqëria ka nevojë të mësojë të vërtetën”, – tha Meta.

Nëpërmjet oratorëve, studiuesve, përfaqësuesve diplomatikë, u kërkua të dëgjohet zëri i atyre që vuajtën në regjimin komunist, nxjerrja në dritë e dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, si një mundësi e kurimit të së shkuarës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.