FUTBOLL – “Reali” shkarkon trajnerin Lopetegui

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ – Pas humbjes me “Barcelonën”, klubi i “Real Madridit” ka vendosur që të largojë trajnerin spanjoll, Julien Lopetegui.

Humbja e thellë 5-1 kundër rivalëve të përjetshëm, ka bërë që drejtuesit e ekipit madrilen të humbasin durimin me spanjollin, Lopetegui duke finalizuar atë çka flitej prej shumë kohësh në mediet spanjolle.
Lopetegui u emërua trajner i “Realit”, ndërsa ishte ende menaxher i Spanjës, pak ditë para se skuadra të luante takimin e parë në Kupën e Botës në Rusi.

Një eksperiencë që ka zgjatur me pak se katër muaj, duke kulmuar me humbjen në “El Clasico” mbrëmjen e së dielës. Pas 10 javësh kampionat, Reali i Lopetegui ka grumbulluar vetëm 14 pikë, duke qenë 10 pikë i distancuar nga kreu.

Me largimin e Lopetegui, Perez ka detyrën e vështirë për të gjetur pasardhësin e tij, ku sipas të gjitha gjasave do të jetë ish-trajneri i “Chelsea” dhe “Juventusit”, Antonio Conte. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.