“Balkan Contemporary Music Festival” në fokus zhvillimin e muzikës bashkëkohore në rajon

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ – “Balkan Contemporary Music Festival” nis edicionin e dytë më 30 tetor. Festivali, i organizuar nga Shoqata e Kompozitorëve Shqiptarë synon nxitjen e bashkëpunimit nëpërmjet njohjes mes muzikantëve në rajonin e Ballkanit dhe mbështetjen, të një tregu të qëndrueshëm të zhvillimit të muzikës bashkëkohore në rajon.

Festivali edhe në këtë edicion zhvillon idenë fillestare, mbi të cilën është themeluar, pra promovimin e muzikës artistike bashkëkohore të kompozitorëve të vendeve të Ballkanik e në mënyrë të veçantë të atyre shqiptarë. Në edicionin e dytë do të mbahen rreth pesë koncerte.

Muzika sllovene do të përfaqësohet në koncertin e parë të këtij festivali, ditën e martë, datë 30 tetor në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, nga Matej Grahe (flaut) dhe Luca Ferrini (piano), të cilët do të interpretojnë vepra nga kompozitorët sllovenë dhe dy autorë shqiptarë.

Këngëtari Ismet Vejseli dhe pianistja Dunja Ivanova do të përfaqësojnë Maqedoninë në koncertin e datës 8 nëntor, ndërkohë që ndryshe nga edicioni i parë, këtë vit është marrë në konsideratë dhe një koncert me artistë të ftuar nga Italia.

Do të jetë një trio fizarmonikash me Francesco Coluccia, Michele Bianco dhe Giovanni Fanizza, të cilët do të interpretojnë në qytetin e Vlorës një repertor të zgjedhur me vepra nga kompozitorë të rëndësishëm të repertorit të fizarmonikës. Krijimtaria muzikore shqiptarë në këtë festival do të materializohet në dy koncerte, njëri prej të cilëve do t’i kushtohet tërësisht kompozitorëve të rinj shqiptarë, ndërkohë që tjetri do të përmbajë krijimtarinë muzikore të kompozitorit Thoma Gaqi.

“Balkan Contemporary Music Festival” i cili do të vazhdoj deri më 15 nëntor këtë vit gëzon mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe bashkisë së Tiranës, sikurse dhe të Konsullatës së Përgjithshme Italiane në Vlorë, ndërkohë që zhvillohet në partneritet me Universitetin e Arteve dhe shoqatat e kompozitorëve të vendeve të Ballkanit./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.