Amna, femra e parë pilote arabe që ëndërron “Formula 1”

TIRANË, 29 tetor/ATSH-ANSA/ – Kur ishte fëmijë i pëlqente të luante me kukullat Barbi, por nuk i përbuzte makinat. Tani në moshën 18-vjeçare garon për Formula 4 dhe ëndërron të mbërrijë në Formula 1.

Ajo është pilotja e parë arabe dhe e quajnë ‘Flying girl” (vajza fluturuese).
Amna Al Qubaisi, po merr pjesë këto ditë në qarkun e Mugellos për fazën e fundit të kampionatit italian të F4, të mundësuar nga Abarth.

“Pasioni i madh ka ardhur në shkretëtirë. Një ditë, im atë më mori mua dhe gjithë familjen në shkretëtirën e Abu Dhabit për të vrapuar. Isha e vogël, – kujton Amna, – por babai më lejoi të nisja makinën dhe nuk po pushoja së ecuri dhe të kërceja në dunat e rërës”.

Vetëm 13 vjeç hyri në Daman Speed Academy dhe është gruaja e parë arabe që fiton Rota Max Challenge të Emirateve të Bashkuara Arabe në sezonin 2016-2017. Në moshën 15 vjeç, ajo fitoi finalet e Rota Grand në Portugali, përpara se të bashkohej me Formula 4, të mbështetur nga Kaspersky Lab, sponsor i skudrës së Ferrarit për Formula 1.

“Kjo nuk do të kishte qenë e mundur, – thotë ajo, – pa mbështetjen e familjes sime. Prindërit e mi gjithmonë më kanë inkurajuar dhe shoqëruar për të praktikuar dhe konkurruar në të gjithë Europën. Pastaj hapi i madh në botën e Motorsport”.

Të vraposh për Amna është “një çështje adrenaline”. “Unë jam një person, – thotë ajo, – që ka nevojë për adrenalinë. Kjo është arsyeja pse bota e shpejtësisë më ka interesuar gjithmonë dhe unë jam shumë e pasionuar për këtë”.

“Kur unë jam në rrugën e garës, – thotë ajo, – provoj një përzierje të emocioneve të ndryshme. Është vendi ku unë jam më e lumtur”. Por, për një vajzë nuk duhet të ishte e lehtë të pranohej nga një botë me mbizotërim të meshkujve.

“Djemve nuk u pëlqen që t’ia kalojnë vajzat! – thotë Amna. – Kur bëja gara në fillim nuk isha aq e fortë dhe vendosur, shpesh të tjerët përpiqeshin të më shtynin dhe të më dërgonin jashtë. Më pas kuptova se meritova respekt dhe fillova të shtyja edhe unë dhe të merrja më shumë vëmendje prej tyre.

“Tani, ëndrra ime, – shton ajo, – është ai i çdo piloti: të shkoj në garën e Formula 1. Para meje kam një rrugë të gjatë dhe me pengesa, por unë dua ta bëj këtë dhe për këtë jam e gatshme të punoj edhe dy herë më shumë, nëse është e nevojshme.

“Me historinë time, – përfundon Amna, – do të dëshiroja t’i tregoja vajzave që të jesh e ndryshme nga të tjerët nuk do të thotë të mos jesh në gjendje të realizosh diçka vërtet të madhe në çdo fushë”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.