Qëlloi me armë zjarri në drejtim të policisë, RENEA vret 35 vjeçarin

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit informoi sot mbi ngjarjen e ndodhur në fshatin Bularat, Gjirokastër, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit me Forcat RENEA, mbeti i vrarë një shtetas.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, “shtetasi Kostandinos Kaçifa ka qëlluar me armë zjarri në ajër e më pas mbi Policinë. Forcat RENEA janë vënë në ndjekje të tij. Në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, është lokalizuar nga forcat speciale”.

“Forcat RENEA i kanë bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Kaçifa nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të policisë, por ka hapur zjarr me armë, duke rrezikuar seriozisht jetën e efektiveve edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes ishte e ulët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i varë shtetasi Kostandinos Kaçifa.

Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor i cili po vijon veprimet e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë.

Ngjarja

Rreth orës 10:00 në krye të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç nga Bularati ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa sapo ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë.

Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa jetonte në Greqi dhe kishte rreth një javë që kishte ardhur në Bularat./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.