Këshillat e mjekes: Sëmundjet e veshkave, parandalimi dhe mjekimi i tyre

136

Këshillat e mjekes: Sëmundjet e veshkave, parandalimi dhe mjekimi i tyre

Këshillat e mjekes: Sëmundjet e veshkave, parandalimi dhe mjekimi i tyrehttps://ata.gov.al/2018/10/27/keshillat-e-mjekes-semundjet-e-veshkave-parandalimi-dhe-mjekimi-i-tyre/Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën, të cilat shoqërohen me një numër të lartë të vdekshmërisë. Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Ariana Strakosha, mjeke nefrologe pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, i jep përgjigje të gjithë këtyre pyetjeve, duke ndarë edhe disa këshilla sesi mund të parandalohen dhe kurohen këto sëmundje.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E shtunë, 27 Tetor 2018

TIRANË, 27 tetor/ATSH-Z.Tosku/-Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën, të cilat shoqërohen me një numër të lartë të vdekshmërisë.

Sëmundja kronike e veshkës fillon në mënyrë të heshtur, shenjat dhe simptomat e saj janë jo specifike të tilla si: dobësi trupore, lodhje, ulje të oreksit, çrregullime të urinimit, ënjtje të syve në mëngjes, ënjtje të këmbëve, krampe muskulore etj.

Sëmundjet më të shpeshta të veshkave janë infeksionet urinare, gurët në veshka, sëmundja kronike e veshkës dhe dëmtimi akut i veshkës. Zakonisht këto sëmundje shfaqen edhe më shumë me rritjen e moshës, por të gjitha grupmoshat rrezikojnë të preken nga sëmundjet e veshkave. Por, cilat janë faktorët që i shkaktojnë këto sëmundje? Cilat janë simptomat? Sa ndikon mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës?

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Ariana Strakosha, mjeke nefrologe pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, i jep përgjigje të gjithë këtyre pyetjeve, duke ndarë edhe disa këshilla sesi mund të parandalohen dhe kurohen këto sëmundje.

Intervista e plotë:

Nga praktika juaj e punës, mund të na tregoni se cilat janë sëmundjet më të shpeshta të veshkave?

Sëmundjet më të shpeshta të veshkave me te cilat ndeshemi në praktikën e përditshme janë infeksionet e rrugëve urinare, kalkulozat renale me pasojat e tyre, dëmtimi i funksionit të veshkës nga Diabeti dhe Hipertensioni.

Cilat janë disa nga simptomat e këtyre sëmundjeve?

Shenjat dhe simptomat e sëmundjeve të veshkave variojnë nga të fshehtat, pra pacienti nuk ka shenja të sëmundjes. Kjo do të thotë që sëmundja zhvillohet në mënyrë të heshtur. Por, sëmundjet e veshkave mund të ka edheshenja dhe simptoma të dukshme si urinim të shpeshtë dhe me djegie, dhimbje mesi, urinim të shpeshtë natën, ndryshim i ngjyrës së urinës ( kur ka eritrocite në urinë), enjtje të syve në mëngjes, dobësi trupore, marrje fryme, të vjella etj. Pra, ka larmi të shenjave klinike.

Përsa i përket gjinive, cilat janë më të rrezikuara të preken nga sëmundjet e veshkave, burrat apo gratë?

Gratë janë më të rrezikuara të preken nga sëmundjet e veshkave , kryesisht nga infeksionet urinare, risku i të cilave rritet më shumë gjatë shtatzanisë,Pyelonefriti akut apo kronik , apo sëmundjet autoimmune si nefriti lupik ku sistemi imun i çrregulluar dëmton qelizat dhe organet e veta. Gjithashtu, komplikacionet e shtatzanisë rrisin riskun e sëmundjeve të veshkave: pre- eclampsia një sindrom ku një difekt në implantimin e placentes shkakton hypertension dhe proteinuria dhe është një ndër 3 shkaqet kryesore të vdekjes së grave shtatzanë.

Pre- eclampsia, aborti septik, hemorragjitë pas lindjes janë shkaqet kryesore të insuficiences renale akute ( demtim akut i rëndë i funksionit të veshkës) tek nënat e reja dhe shpeshherë dëmtimi mund të jetë i pakthyeshem dhe çon drejt sëmundjes renale kronike. Këto komplikacione ndodhin më shumë në zonat rurale ku gratë nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur kontrollit periodik gjatë shtatzanisë tek mjeku specialist .

A vuajnë grupmoshat e reja nga sëmundjet e veshkave apo zakonisht preken individë në moshë më madhore?

Sëmundjet e veshkave kapin të gjitha grupmoshat nga fëmijët deri në moshat e treta, shkaqet e të cilave janë të ndryshme. Kemi sëmundje renale të lindura, ( defekte të lindura anatomiko- funksionale) të cilat po të kapen në fazat e hershme, që në muajt e parë të jetës mund të trajtohen dhe të evitohet avancimi i sëmundjes drejt stadeve të avancuara. Sëmundje renale gjenetikisht të trashëguara si veshka me kiste (polikistoza renale) e cila me kalimin e viteve shoqërohet me humbjen graduale të funksionit renal dhe i sëmuri në dekadën e katërt të jetës mund të përfundojë në trajtim me dializë apo transplant renal, apo Sindromi Alport ku përsëri me kalimin e viteve sëmundja avancon drejt insuficiences renale dhe i sëmuri si trajtim të vetëm ka dializen apo transplantin renal. Ndjekja e kujdesshme periodike nga specialistë ngadalëson avancimin e sëmundjes drejt stadeve të avancuara. Sëmundje renale të fituara ç’ka nënkupton nga patologji të ndryshme të cilat shkaktojnë dëmtimin e funksionit renal dhe janë gjithëpërfshirëse në të gjitha grupmoshat si : infeksionet urinare të përsëritura dhe të patrajtuara, kalkulozat renale, infeksionet e ndryshme si tonsilitet, abceset dentare të neglizhuara dhe të patrajtuara me skemat e duhura terapeutike, sëmundjet autoimmune , të cilat shoqërohen me prekjen e funksionit renal, me rritje të azotemisë, kratinemisë, shfaqjen e anemisë dhe komplikacioneve të tjera.

Cilat janë shkaqet që prekemi zakonisht nga këto sëmundje dhe sa ndikojnë faktorët gjenetikë?

Shpeshherë sëmundjet e veshkave shkaktohen dhe nga mjekimi i pakujdesshëm i patologjive të tjera si sëmundjet reumatizmale, pneumonite, diabetin, etj ku përdorimi i barnave antireumatizmale, antibiotikeve, antidiabetikeve me doza dhe frekuence të pakontrolluar shkaktojnë shpeshherë dëmtime të funksionit renal. Më të prekur nga kjo situatë janë të sëmurë kronike dhe në moshë të madhe.

Po mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës, çfarë roli luajnë?

Mënyra e ushqyerjes dhe stili i jetës kanë impakt direkt në funksionin e veshkës.
Këtu duhet të përmendim obezitetin i cili definohet si akumulim abnormal apo eksesiv i dhjamit që mund të dëmtojë shëndetin. Obeziteti është faktor potent risku për zhvillimin e Sëmundjes Kronike të veshkave, për gurët në veshka apo kancerin renal. Tek individët e prekur nga obeziteti veshka punon më e sforcuar për të ruajtur ekuilibrat metabolike në organizëm. Kjo rritje e funksionit renal mund të dëmtoje strukturat qelizore të saj dhe në një periudhë afatgjatë mund të shkaktojë Insuficience Renale Kronike.
Nga ana tjetër, obeziteti shkakton hypertension dhe diabet të cilët janë faktorë të rëndësishëm risku për zhvillimin e sëmundjes renale kronike. Pozitiv është fakti se obeziteti mund të parandalohet apo të trajtohet duke iu nënshtruar ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit sportiv.

Si bëhet parandalimi i sëmundjeve të veshkave?

Ka disa mënyra të cilat ndihmojnë në reduktimin e riskut për të zhvilluar sëmundjen renale kronike:
-Ruajtja e peshës dhe jeta aktive
-Kontrolli i rregullt i glicemisë
-Monitorimi i presionit arterial
-Mënyra e shëndetshme e ushqyerjes dhe kontrolli i peshës
-Pirja e ujit 1.5-2 litra në ditë për të ruajtur ekuilibrat hidrues të organizmit
-Kufizimi i marrjes së medikamenteve kur nuk është e domosdoshme si barnat antiinflamatore, qetësues të ndryshëm.
-Kontrolle të rregullta periodike tek mjeku kur individi ka një apo më shumë faktorë risku
• Diabet
• Hypertension
• Obezitet:
• Kur një nga prindërit apo të afërm vuajnë me sëmundje renale /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.