Siguria energjetike i kundërvihet burimeve të ekstremizmit

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ – Siguria energjetike dhe ndërlidhja i kundërvihen të gjitha burimeve të ekstremizmit, deklaroi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në punimet e Konferencës Mesdhetare të OSBE-së, në Malaga të Spanjës.

Bushati vlerësoi zhvillimin e kësaj konference, e cila i shërben nxitjes dhe bashkëpunimit në fushën e energjisë jo vetëm mes vendeve në brigjet e Mesdheut, por edhe me vendet pjesëmarrëse të OSBE-së.

Bushati theksoi se OSBE dhe vendet mesdhetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm për sa i përket bashkëpunimit në nivel rajonal në adresimin e sfidave të përbashkëta.

“Energjia është një çështje kyçe në dinamikën euro-mesdhetare dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet ndëretnike, rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Kur i shtohet sfidave të tjera specifike të rajonit tonë, si migracioni, terrorizmi dhe vonesa në zhvillimin ekonomik, mund të bëhet faktor kritik për sigurinë e pellgut të Mesdheut”, nënvizoi ai. Shqipëria e konsideron sektorin e saj energjetik vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë ndaj dhe po punon për integrimin e tregut të energjisë elektrike në tregun europian, dhe për krijimin e një burse shqiptare të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, Ministri Bushati u ndal tek perspektiva sociale dhe politike për të cilën shprehu bindjen se “siguria energjetike dhe ndërlidhja i kundërvihen të gjitha burimeve të ekstremizmit dhe radikalizimit, veçanërisht ndërmjet të rinjve”.

Bushati përsëriti angazhimin e qeverisë shqiptare për të kontribuar për sigurinë dhe qeverisjen demokratike në fushën e OSBE-së në përgjithësi dhe rajonin tonë në veçanti, në fusha të tilla si ndërlidhja, harmonia ndër fetare dhe respektimi i të drejtave të pakicave, përfaqësimit të të rinjve dhe grave, si dhe kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Në këtë konferencë marrin pjesë përfaqësuesit e 57 shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së, si dhe gjashtë partnerët Mesdhetarë të OSBE-së për Bashkëpunim: Algjeria, Egjipti, Izraeli, Jordania, Maroku dhe Tunizia si dhe disa organizata ndërkombëtare.

“Rëndësia e Energjisë për Rritjen Ekonomike dhe Bashkëpunimin në Mesdhe”, ishte tema e diskutimit të Segmentit Politik të Nivelit të Lartë.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.