Senatorja franceze: Shqipëria në drejtimin e duhur, ja çfarë do t’i them Macron

147

TIRANË, 26 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ – Shqipëria po bën përpjekje shumë të mëdha për të ecur përpara në drejtimin e duhur, ishte mesazhi që përcolli sot senatorja franceze Helene Conway-Mouret, e cila theksoi se këtë mesazh do t’ia përcjellë Presidentit francez, Emanuel Macron.

Gjithashtu, theksoi ajo, do t’i sugjeroj që edhe ai të vijë në Shqipëri për një vizitë zyrtare presidenciale.

Në një konferencë për shtyp me Kryetaren e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, gjatë vizitës që po zhvillon në Tiranë, Conway-Mouret theksoi se “marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyera në të gjitha fushat. Por që t’i forcojmë këto marrëdhënie duhet të takohemi, të kemi shkëmbime dhe të njohim njëri-tjetrin”.

“Ajo që kam vënë re që në takimin e parë me ministren e Drejtësisë është së pari, një motivim shumë i fortë i juaji për të ndryshuar vendin. Dhe së dyti, dëshira e madhe për të qenë anëtarë të familjes së madhe europiane”, – tha Conway-Mouret.

“Ne kemi nevojë për të bashkëpunuar në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë”, – shtoi senatorja franceze.

Ajo vlerësoi pjesëmarrjen e grave në postet e larta politike në Shqipëri, si shenjë e modernizimit. “Nga ana personale desha të them që nga takimet që kam pasur, jam e lumtur që kam takuar kaq shumë personalitete gra, sepse kjo tregon shkallën e modernizimit të vendit tuaj në këtë moment”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.