Mbyllja e basteve, vendimi më i rëndësishëm për mbrojtjen e familjes

Mbyllja e basteve, vendimi më i rëndësishëm për mbrojtjen e familjes

Mbyllja e basteve, vendimi më i rëndësishëm për mbrojtjen e familjeshttps://ata.gov.al/2018/10/26/mbyllja-e-basteve-vendimi-me-i-rendesishem-per-mbrojtjen-e-familjes/Balla tha se “të vetmit që fitonin nga e gjithë kjo histori ishin bizneset e basteve dhe pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre kompanive, ishin persona të dënuar për vepra të ndryshme kriminale”.Ministrja Ogerta Manastirliu tha se kurrë më parë parlamenti shqiptar nuk kishte marrë një vendim kaq të rëndësishëm në mbështetje të familjes dhe shoqërisë.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E premte, 26 Tetor 2018

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ “90% e grave shqiptare e mbështetën vendimin për mbylljen e basteve dhe kazinove, ndërkohë që opozita, edhe këtë herë, nuk mori pjesë në Parlament për të votuar një ligj që mbron familjen”.

Kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një takim me gra dhe vajza në Elbasan.

Menjëherë pas një seance të rëndësishme parlamentare, ku u miratua ligji që i jep fund njëherë e mirë basteve sportive dhe kazinove në vendin tonë, kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deputetë dhe drejtues lokalë zhvilluan një takim me gra dhe vajza në Elbasan.

Balla tha se “pjesa më e madhe e grave të Shqipërisë na kishin kërkuar t’i jepnim fund kësaj mortje që kishte 25 vjet që qarkullonte dhe ishte biznesi më i madh në këtë vend, që gjoja na paskësh prodhuar 7 mijë vende pune, por që në fakt vit pas viti kishte shkatërruar dhjetëra mijëra familje”, – tha Balla.

Sipas tij, “të vetmit që fitonin nga e gjithë kjo histori ishin bizneset e basteve dhe pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre kompanive, ishin persona të dënuar për vepra të ndryshme kriminale”.

“Ja pra, ku ndahen ata që seriozisht e kanë betejën me krimin dhe ata që krimin e kanë thjesht dhe vetëm një alibi për bashkëpunimin e tyre më të. Nuk është larg 2009-ta dhe Elbasani e di shumë mirë se si bashkëpunoi Lulzim Basha me persona me të shkuar kriminale, madje i nxori dhe nga burgu për t’i përdorur për intimidimin e socialistëve, për intimidimin e qytetarëve të Elbasanit”, – tha Balla.

Nëse PD e do familjen shqiptare, sipas Ballës, duhet të ishte e pranishme në Kuvend dhe të jepte votën pro mbylljes së basteve dhe lojërave të fatit. “Megjithatë ne e dimë që PD s’ka ekip, lidership jo e jo, program as bëhet fjalë”, – tha ai.

Ministrja Ogerta Manastirliu tha se kurrë më parë Parlamenti shqiptar nuk kishte marrë një vendim kaq të rëndësishëm në mbështetje të familjes dhe shoqërisë.

“Kurrë nuk ka pasur një vendim më të drejtë të marrë nga Parlamenti shqiptar sesa ky vendim që mbështet 100% familjen, mbështet 100% gratë, mbështet 100% nënat, motrat, mbështet 100% të dobëtin përpara të fortit dhe kurrë nuk ka pasur një vendim kaq të drejtë që ne të kemi fëmijë më të shëndetshëm, të kemi shoqëri më të zhvilluar dhe me sa më pak vese”, – tha ajo.

Deputeti Ervin Bushati theksoi se pavarësisht reformave të rëndësishme që ka ndërmarrë kjo qeveri, kurrë më parë nuk ishte sulmuar, sa u sulmua për ligjin e bixhozit.

“Këto dy javë që jemi marrë me ligjin kemi qenë në një presion të madh, shumë të egër dhe të shëmtuar nga një grup i madh interesi që kanë qenë pro basteve. Ne kemi bërë shumë reforma; reforma në drejtësi, reforma në energji, reforma territoriale, por asnjëherë nuk kemi pasur kaq shumë konflikt, debat dhe mbrojtje të një ligji që ka të bëjë me bixhozin. Kemi bërë kaq shumë reforma dhe asnjëherë nuk na kanë kundërshtuar kaq shumë sa për ligjin e bixhozit”, – tha ai.

Deputetja Evis Kushi nga ana e saj vuri në dukje rëndësinë e një vendimi të tillë dhe përkrahjen e madhe që i dhanë qytetarët.

“Kemi miratuar një ligj shumë të rëndësishëm, një ligj i cili garanton mbylljen e kazinove, basteve dhe të gjitha aktiviteteve të tjera që përfshihen në lojërat e fatit. Të gjithë jemi dëshmitarë sesi industria e lojërave të fatit ka shkatërruar shumë familje dhe ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomiko-sociale”, – tha ajo.

Por, sipas saj, “ky nuk do të jetë ligji i vetëm në mbështetje të familjes”. “Prej 1 janarit do të jetë taksativ vendimi për marrjen e ndihmës ekonomike vetëm nga gratë, por gjithashtu edhe përdorimi i kësaj shume vetëm për nevoja të familjes”, – tha Kushi. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.