Liqeni i Shkodrës pastrohet pas më shumë se 30 vjetësh

TIRANË, 26 tetor/ATSH/- Për herë të parë pas më shumë se 30 vitesh bregu i liqenit të Shkodrës po pastrohet, duke u kthyer në një ambient të vizitueshëm.

Bashkia e Shkodrës ka nisur punën për pastrimin e bregut nga ish-thertorja deri në qendër të Shirokës dhe rrugës për në Zogaj për të pastruar territorin nga shkurre dhe inerte, që kanë ngelur që kur është ndërtuar rruga.

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, shprehet se “po japim një shembull pozitiv në një territor që nuk është përdorur nga pushuesit dhe do të vihet në funksion në sajë të një pune të bërë nga njerëzit e Shkodrës”.

Po ashtu, Ademi thekson se për realizimin e projektit “Pastrimi i Kanaleve Kulluese bashkia Shkodër”, janë punësuar 100 kryefamiljarë të familjeve më në nevojë në bashkinë e Shkodrës, që mundësohet nga Kooperacioni i Zhvillimit Gjerman( GIZ).

Sipas saj, për përmirësimin e situatës në sistemin e kanaleve kullues dhe brigjeve ujore përveç liqenit të Shkodrës po punohet edhe në njësitë administrative Dajç, Bërdicë, Velipojë, Ana e Malit, Guri i Zi e Rrethina.

Liqeni i Shkodrës ndodhet në veriperëndim të Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Gadishullit të Ballkanit. Është i gjatë 43 km dhe i gjerë 14 km dhe thellësi mesatare 7-10 m, me pikën më të thellë 44 m. Liqeni i Shkodrës është i pasur dhe në faunë. Rreth 250 lloje shpendësh gjenden në liqen dhe rreth tij, ku gjysma janë migrues dhe pjesa tjetër folezon në brigjet e liqenit. /k.s/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.