Java kulturore vlonjate në Rumani, binjakëzim i dy vendeve mes artit dhe historisë

TIRANË,26 tetor /ATSH/ – Komedia “Njeriu që pa vdekjen me sy” me regji nga Elma Doresi vjen në skenën rumune në kuadër të javës kulturore vlonjate, në Rumani.

Vepra e shkruar nga Viktor Eftimiu me regji nga Elma Doresi sjell në skenë aktorët e teatrit “Petro Marko”, Vlorë. Më herët vetë regjisorja Doresi ka treguar se është një mundësi e mirë dhe për përfaqësimin e artistëve shqiptarë pjesëmarrja në skenën rumune.

“Në premierë kemi pasur diplomatë nga Rumania gjë që solli edhe këtë udhëtim drejt saj. Nuk është festival, por një Javë Kulturore e cila do të finalizohet me shfaqjen tonë”, tregon regjisorja Doresi për këtë pjesëmarrje në Rumani.

Regjisorja Doresi bën me dije se nga data 26-30 tetor, Fate Velaj, deputeti i Vlorës organizon “Ditët e Vlorës” në Craiova.

”Në kuadër të këtij aktiviteti do të vendoset busti i Skënderbeut, do të binjakëzohet Vlora me Craiovën, Universiteti i Vlorës me atë të Craiovës si dhe paraqitja e teatrit të Vlorës me shfaqjen “Njeriu që pa vdekjen me sy” në teatrin e Craiovës”, shprehet regjisorja Doresi.

Në veprën me regji nga Elma Doresi një emër i vlerësuar me shfaqjet e saj në teatër interpretojnë aktorët Artan Islami, Jorgaq Tushe, Ilirian Ali, Eliona Thomaraj, Matilda Avduli, Roland Minga.

Pas suksesit që pati në teatrin e Vlorës komedia nuk mungoi dhe në Tiranë, duke marrë duartrokitjet e natës së parë në skenën e Teatrit Kombëtar.

Ngjarjet në vepër zhvillohen në një qytet. Dy burra dhe një post kryetari. Një vajzë dhe një djalë në kërkim të kurorëzimit të dashurisë së tyre. Një grua me qëllimin e vetëm për të jetuar në kryeqytet dhe një vagabond. Të mbetur pezull prej kohësh dhe në kërkim të një ndryshimi, por monotonia po i mbyt. Një ditë duket sikur dikush i dëgjojë thirrjet dhe lutjet e tyre: A do ta thyejë ai këtë monotoni dhe cila është vdekja që shikon? Sa prej nesh sot arrijnë të ndajnë personalen nga profesionalja? Këto janë dhe pyetjet që shtron komedia në skenën e teatrit për publikun. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.