Forumi Frankofon i Investimeve, Kosova me taksa të favorshme

PRISHTINË, 26 tetor /ATSH/ – Në Forumin Frankofon të Investimeve të organizuar nga Klubi Afarist Frankofon në Kosovë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli parashtroi kushtet të cilat i ofron Kosova për investitorët e huaj. Ai tha se Ligji për Investime Strategjike dhe mundësitë të cilat i ofron edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, mundësojnë që tokat të jepen falas për investitorët të cilët investojnë në shumën e caktuar që krijojnë të mira materiale dhe punësim.

Veseli kërkoi nga shteti i Francës që ta mbështesë Kosovën për liberalizmin e vizave, sepse sipas tij, Kosova ka mbetur peng.

Kryeministri Ramush Haradinaj foli për arritjet e qeverisë së tij për investimet e huaja. Haradinaj ka përmendur edhe politikat tatimore dhe lehtësirat për fillimin e një ndërmarrjeje të re në Kosovë, po ashtu edhe infrastrukturën e mirë për biznese.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi pozicionin gjeografik të Kosovës, duke thënë se nëse dëshiron të kesh biznes, janë dy orë nga të gjitha qendrat në rajon, që është një përparësi ndaj ekonomive edhe të vendeve të rajonit.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didiert Chabert tha se Kosova ka klimë dhe taksa të favorshme për investime të huaja, me një fuqi punëtore të re dhe kosto të lirë për paga.

Kryetari i Klubit Afarist Frankofon në Kosovë (KOCAF), Rrahim Pacolli u shpreh se qëllimi i Forumit Frankofon të Investimeve është të diskutojë ngjashmëritë, ndërlidhjet dhe sfidat kryesore me të cilat përballen operatorët ekonomik që veprojnë në Shqipëri dhe Kosovë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala tha se Kosova është vend ideal për investime të huaja.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, kryesuar nga Julien Roche, e që tubon rreth gjashtëdhjetë kompani, tha se asgjë nuk është e përsosur, por kur të krahasohen me vendet tjera ka disa përparime në Kosovë.

Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza vlerësoi ambientin e mirë të të bërit biznes dhe lehtësirat fiskale që janë në favor të zhvillimit të sektorit privat në Kosovë, duke ju bërë thirrje investitorëve nga vendet frankofone që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë. /kosovapress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.