BB: Mediet raportime të pasakta, eksportet shqiptare drejt BE pozitive

165

TIRANË, 26 tetor/ATSH/- “Pozita e Shqipërisë në tregun e BE-së për eksportin e peshkut, frutave dhe perimeve të freskëta është mjaft pozitive”, deklaron Zyra e Bankës Botërore në Tiranën duke hedhur poshtë raportimet e ditëve të fundit në disa medie lidhur me sigurinë ushqimore në vend.

“Nisur nga disa raportime të pasakta në disa prej medieve, mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri, Zyra e Bankës Botërore në Tiranë informon se siguria ushqimore është një faktor i rëndësishëm për kokurrueshmërinë globale në sektorin e bujqësisë”, thuhet në deklaratë duke shtuar se “Raporti i Bankës Botërore “Rëndësia e sigurisë ushqimore: Përshpejtimi i progresit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme” e prezanton këtë element të rëndësishëm në zhvillimet bujqësore, shpesh të nënvleftësuar dhe të vështirë për t’u matur, duke ofruar në të njëjtën kohë edhe krahasime mes vendeve”.

Sipas raportit, pozita e Shqipërisë në tregun e BE-së për eksportin e peshkut, frutave dhe perimeve të freskëta është mjaft pozitive dhe e favorshme, me një shkallë kthimi shumë të ulët, sipas të dhënave të agreguara dhe krahasuar me vende të tjera.

BB thekson se ky është një tregues se sistemi i sigurisë, sidomos përsa i takon zinxhirit të peshkut, është funksional dhe i përdorur siç duhet. “Kjo reflektohet edhe nga pozicioni i Shqipërisë në indeksin e kapacitetit të sigurisë ushqimore që lidhet me produktet shtazore. Raporti argumenton se kërkohen kapacitete menaxhuese më të mëdha në arritjen e sigurisë ushqimore të produktit fundor, ku qeveritë krijojnë incentiva dhe lehtësojnë prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e sigurt të produkteve, krijojnë ndërgjegjësim mbi burimet dhe pasojat nga dëmet prej ushqimeve. Autorët e raportit përdorin këtë përkufizim të gjerë të sigurisë ushqimore për të identifikuar hendeqet mes zbatimit të masave që lidhen me kapacitete e sigurisë e ushqimeve më tradicionale përmes inspektimit të vendeve të prodhimit dhe të testimit të produkteve ushqimore, dhe masave ligjore dhe financiare që merren për shkeljet”, thuhet në njoftim.

“Ky hendek duket të jetë i madh në Shqipëri krahasuar me vende të tjera, duke dëshmuar nevojën për një qasje më integruar të menaxhimit të sigurisë ushqimore në vend. Kjo qasje shkon përtej sektorit të bujqësisë dhe përfshin shëndetin publik dhe edukimin, duke theksuar nevojën që sistemet e sektorit publik duhet të rrisin ndërgjegjësimin dhe parandalojnë sëmundjet e kafshëve”, thuhet në deklaratë./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.