Ndalimi i pijeve energjike, një hap më shumë për mirëqënien e qytetarëve

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Sjellja në Kuvend e dy ligjeve, për kufizimin e pijeve energjike dhe ndalimin e basteve shkon në përmbushje të objektivave të qeverisë për mirëqënien e qytetarëve shqiptarë. Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi përshëndeti këto dy nisma të sjella në Kuvend, duke shprehur keqardhjen që në miratimin e tyre do të mungojnë kolegët e opozitës.

“Siguria ushqimore nuk ka ngjyra partiake dhe mungesa e saj vret këdo”, – tha Hysi, duke pranuar se raporti i Bankës Botërore është një kambanë që ushton fort, si apel për përgjegjshmëri më të madhe për sigurinë ushqimore.

Projektligji për pijet energjike dhe për ato me përmbajtje të shtuar të sheqerit, sikundër edhe ndalimi i basteve dhe kazinove, sipas Hysit shkojnë në linjë me një nga tri shtyllat e qeverisë Rama 2: mirëqënien e qytetarëve.

Hysi apeloi strukturat shtetërore për zbatimin dhe monitorimin sa më të rreptë të ligjeve për pijet energjike dhe ligjet e tjera të sigurisë ushqimore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.