Lezha mirëpret rapsodë dhe instrumentistë popullorë nga gjithë vendi

TIRANË,25 tetor /ATSH/ – Qyteti i Lezhës mirëpret sot rapsodë dhe instrumentistë popullorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë në edicionin e 10-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar.

Ky edicion i cili do vazhdojë dhe nesër i kushtohet rapsodisë dhe lojës me vegla popullore muzikore. Gjithashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut duke përfshirë në këtë festival këngët kushtuar Heroit tonë Kombëtar. 

Në festival marrin pjesë rreth 160 artistë popullorë të moshave të ndryshme. Nga juglindja, në verilindje e veriperëndim. Janë mbledhur së bashku lahutarë, fyejtarë, çiftelitarë nga Kurbini, Hasi, Kukësi, Lezha, Mirdita, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Shkodra, Lezha, Mallakastra, Rugova, Mati, Kamza, Gostivari etj.

Dallohet sivjet një pjesëmarrje më e madhe e talenteve të reja të cilat i sjellin ansamblet e Fushë-Arrëzit, të Pukës, të Shkodrës e Lezhës.

“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.

Takimi i parë i këtij aktiviteti kulturor u organizua në Lezhë në vitin 1995 për të vijuar traditën në çdo vit me këtë veprimtari folklorike. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është institucion shtetëror qendror, i specializuar, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ky institucion e trajton trashëgiminë jo materiale shpirtërore folklorike si pasuri kombëtare që ruhet e zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve shtetërorë si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi e Diasporë.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike (QKVF) trajton si pasuri kombëtare të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare e linguistike në Shqipëri dhe i propagandon ato në veprimtaritë e organizuara prej saj dhe ato në bashkëpunim me të tretët. QKVF me veprimtarinë e saj punon për evidentimin, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale. Organizon seminare, tryeza të rrumbullakëta, takime pune në marrëveshje me institucione të tjera kulturoro-artistike, shoqata kulturore si dhe grupe private që merren me artin dhe kultivimin e trashëgimisë jomateriale./a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.