Legalizimet në Elbasan, 10 862 ndërtime informale në 5 vjet

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ – ALUIZNI bën të ditur se nga viti 2014 deri në shtator 2018, janë legalizuar 10 862 ndërtime informale në Qarkun e Elbasanit.

Qarku i Elbasanit është një prej qarqeve më të mëdhenj dhe me problematikë për procesin e legalizimit në vend. Në të përfshihen bashkitë Elbasan, Librazhd, Përrenjas, Gramsh, Cërrik, Peqin dhe Belsh.

Në qarkun Elbasan që prej nisjes së këtij procesi në vitin 2006 janë kryer gjithsej 12 933 legalizime objektesh pa leje.

83% e totalit të të gjitha lejeve janë dhënë nga viti 2014 deri në shtator 2018. ALUIZNI sqaron se në 5 vitet e fundit, janë legalizuar 10 862 ndërtime informale, ose 5 herë më shumë se gjatë viteve 2006-2013.

Viti kur janë dhënë më pak leje legalizimi është 2009 kur ALUIZNI ka legalizuar 266 objekte pa leje, ndërsa viti 2016 shënon vitin me numrin më të lartë të legalizimeve të kryera, 4311 të tilla.
Nga janari deri në shtator të vitit 2018 janë dhënë 1437 leje. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.