FOTO/ Zbulimet arkeologjike dhe pavijoni i Lashtësisë, më të vizituarat në Muzeun Historik

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ – Projekti “Arkeologu i vogël”, ka mbledhur sërish nxënës, të cilët shfaqin interesin dhe dëshirën që të vizitojnë dhe prekin nga afër historinë e vendit tonë në Muzeun Historik Kombëtar.

Fëmijët të shoqëruar edhe nga mësueset e tyre, si fillim bënë një guidë në muze. Ata u njohën imtësisht me pavijonin e Lashtësisë dhe me objektet e zbuluara në vite prej ekspeditave arkeologjike.

Më pas nxënësit u drejtuan për në atrium ku zhvilluan pjesën tjetër të aktivitetit, që kishte të bënte me imitimin e gërmimeve dhe gjetjen e objekteve antike.

Pas gërmimeve fëmijët vizatuan objektet të cilat i kishin gjetur vetë. Qëllimi i këtij aktiviteti është, që fëmijë të moshave të ndryshme të vijnë në muze dhe të njihen më nga afër me historinë e vendit tonë. Konkretisht, projekti në fjalë i njeh nxënësit me procesin e gërmimeve që bëjnë arkeologët gjatë ekspeditave të tyre në terren. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.