Titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore, shqyrtohen dy projektligje

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi sot dy projektligje, të cilat janë depozituar si nismë e deputetit socialist, Erjon Braçe.

Në cilësinë e komisionit përgjegjës, u shqyrtuan projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 171/2014 “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar” dhe projektligji “‘Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit te titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”.

Në prezantimin e tij, Braçe theksoi se “bëhet fjalë për tokë të ndarë që është shoqëruar me akt të marrjes së tokës në përdorim dhe që më herët para viteve ’90 ka qenë në administrimin e ndërmarrjeve bujqësore”.

Nuk bëhet fjalë për tokat e ndara me ligjin 7501, sqaroi ai, “por bëhet fjalë për tokën që ka qenë në administrim të ndërmarrjeve bujqësore dhe që pastaj i është nënshtruar procesit të ndarjes për familjet bujqësore dhe individët që janë marrë më bujqësi në atë periudhë”.

Pas prezantimit të nismës, anëtarët e komisionit i drejtuan pyetje Braçes mbi disa pika specifike. Më pas, anëtarët vazhduan me komente dhe sugjerime ku i kërkuan në një seancë të radhës edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informacion dhe mbledhje të dhënash për rastin konkret në rang vendi./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.