Lexim publik i dosjes së një ish-të përndjekuri politik gjatë komunizmit

TIRANË, 24 tetor /ATSH- I. Vata/ – Të hedhim dritë mbi represionin komunist në Shqipëri është aktiviteti që organizohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ku në qendër të vëmendjes është një nga familjet e persekutuara në Shqipëri, familja Peshkëpia.

Ish-i përndjekuri Gëzim Peshkëpia do të lexojë për publikun pjesë nga dosja e tij, që ka si qëllim hedhjen dritë mbi dosjet e sigurimit të shtetit dhe vuajtjet në regjimin komunist, torturat në burgje si dhe për të nxitur diskutimin për pajtim dhe rehabilitim.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Gëzim Peshkëpia organizojnë leximin publik të dosjes së një viktime të regjimit komunist në Shqipëri.

Leximi nxjerr në pah shtypjen dhe persekutimin nga regjimi komunist ndaj pjesëtarëve të familjes Peshkëpia.

Aktiviteti hedh dritë mbi represionin komunist, teknikat operative të Sigurimit të Shtetit dhe vuajtjen e viktimave, në një përpjekje për të nxitur diskutimet mbi pajtimin dhe rehabilitimin. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.