Basha në Kosmaç: Fermerët, të braktisur nga shteti

TIRANË, 24 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Fermerët janë braktisur nga shteti për sa i përket investimeve, ne do të investojmë 100 milionë euro që vitin e parë të qeverisjes”, – tha kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në takim e zhvilluar sot me fermerët e fshatit Kosmaç, bashkia e Vaut të Dejës.

Në bashkëbisedim me banorët, Basha dëgjoi problematikat e banorëve të zonës në fshatin Kosmaç.

Një banor i zonës shprehet se fshati Kosmaç përbëhet nga 2500 banorë që kultivojnë perime që i tregtojnë në Shkodër, Velipojë dhe Lezhë. Rruga është e lidhur me aksin kryesor dhe zbut problemin për sa i përket transportit.

“Kushtet klimaterike të favorshme, terreni i favorshëm, kultura e punës e mirë, prodhimet të bollshme por ka dy probleme”, tha Basha. “Së pari, nuk ka mbështetje financiare nga shteti dhe problemi i dytë është suksesi në treg jo vetëm nuk ndihmohet po pengohet nga mungesa e vëmendjes së shtetit”, – theksoi ai.

Po ashtu, Basha tha se kështu siç është gjendja vendi po shkon në greminë, Shqipëria nuk mund ta mbajë këtë zgjedhë që, sipas tij, i ka vënë qeveria.

“A dëgjuat për koncesionin e rrugës Milot-Balldren, kostoja është baraz me investimin 2-vjeçar të investimeve publike në të gjithë Shqipërinë. Ne do ta ndalim menjëherë dhe të gjitha këto koncesione do t’i nënshtrohen një shqyrtimi sipas ligjit antimafia. Paratë e marra në mënyrë të padrejtë do sekuestrohen e kthehen publikut”, – tha Basha.

Në fund, Basha u tha banorëve se ne do të investojmë 100 milionë euro vetëm vitin e parë të qeverisjes. Këtij buxheti do t’i shtohen, sipas tij, dhe investime të tjera për zinxhirin e prodhimit dhe të tregtimit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.