Tetori gjerman – Lexim letrar me shkrimtaren Sandra Hoffmann

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Në kuadrin e aktiviteteve kulturore të tetorit gjerman, Goethe-Zentrum, Ambasada gjermane dhe shoqata kulturore Poeteka kanë ftuar shkrimtaren gjermane Sandra Hoffmann në Tiranë për të mbajtur lexime letrare dhe workshope.

Sandra Hoffmann është një shkrimtare e lirë dhe jep mësim lëndën “shkrim krijues”. Për romanin e saj të fundit “Çfarë do t‘i mungojë atij kur të vdesë” (2012) ajo mori çmimin Thaddäus-Troll. Në vitin 2018 ajo u nderua me çmimin Hans-Fallada të qytetit të Neumünster-it. Romani i saj “Paula” është duke u përkthyer në shqip dhe do të botohet në tetor 2018.

Romani flet për një histori dramatike. Kur Paula vdes, ajo merr me vete një të fshehtë në varr. Vajza dhe mbesa e saj nuk do të dinë kurrë se kush ishte babai dhe gjyshi i tyre. Me guxim dhe butësi, Sandra Hoffmann tregon historinë e gjyshes së saj Paula, duke i kundërvënë pushtetit të heshtjes fuqinë e fjalës.

Leximi letrar zhvillohet të mërkurën më 24 tetor, ora 19:00, në Hemingway Bar, Tiranë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.