Sezoni turistik me rritjen më të lartë/ INSTAT: Mbi 5 milionë vizitorë të huaj

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Sezoni turistik i këtij viti shënoi numrin më të lartë të vizitorëve të huaj në vendin tonë, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa moti i mirë ndikoi në një sezon turistik të suksesshëm edhe përtej muajve tradicionalë të verës.

Instituti i Statistikave bëri të ditur sot se, muaji shtator shënoi një rekord të huajsh që zgjodhën për të vizituar Shqipërinë për pushime, me rreth 344 mijë persona, ose 52% e totalit të hyrjeve të të huajve në shtator.

Në krahasim me shtatorin e një viti më parë, numri i personave që kanë ardhur vetëm për pushime në Shqipëri ka shënuar rritje të fortë prej 82%.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë në nëntëmujorin e 2018 është 5.061.822 duke u rritur me 19,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Përgjithësisht, vizitorët prej vendeve fqinje vazhdojnë të dominojnë turizmin hyrës në Shqipëri, me mbi 60% të totalit.

Në shtator 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 66,0%, ulje kanë pasur vetëm shtetasit nga Mali i Zi me 16,3%.

Në nëntëmujorin e 2018, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 37,2%. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.