Rikthehet Liga e Kampionëve, ndeshja kryesore luhet në “Old Trafford”

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Sonte do të luhen tetë takime në kuadër të ndeshjeve të treta të fazës së grupeve në Champions League.

E gjithë vëmendja sonte do të jetë e përqendruar në Old Trafford, aty ku “Manchester United” pret “Juventusin”. Ajo që e bënë më speciale këtë sfidë, është rikthimi i Cristiano Ronaldos në stadiumin ku bëri emër, para se të transferohej tek “Reali” në vitin 2009.Të dy skuadrat kanë probleme me dëmtimet dhe trajnerët Jose Mourinho e Massimilliano Allegri mund të bëjnë ndryshime në formacionet startuese. Pas dy ndeshjeve të para në Grupin H, “Juventusi” kryeson grupin me gjashtë pikë, kurse “United” ka katër.

Kampioni aktual i Europës, “Real Madrid” kërkon të lërë prapa serinë negative prej pesë ndeshjesh pa fitore, pasi në Santiago Bernabeu pret ekipin çek “Viktoria Plzen”. Dueli tjetër i këtij grupi vë përballë, “Romën” dhe “CSKA” e Moskës.

Pas barazimit në ndeshjen e kaluar me Ajax-in, kampioni i Bundesligës, “Bayern Munich” udhëton drejt Greqisë, aty ku e pret “AEK”-u i Athinës, ndërsa skuadra holandeze ndeshet me “Benfican”.

Ndërsa “Manchester City” synon fitoren e dytë në grup, në një udhëtim jo të lehtë tek “Shakhtar Donetsk” në Ukrainë.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.