Gabigol preferon të qëndrojë tek “Santos”

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Në verën e 2016-ës erdhi me shumë bujë tek “Interi” dhe u prezantua si një yll i vërtetë, por sezoni në vijim tregoi se Gabigol nuk ishte ende gati për të përfaqësuar zikaltërit dhe për të zënë një vend në formacionin e tyre.

Pas disa muajsh huazim te “Benfica”, dhjetorin e kaluar Gabigol u rikthye në Brazil te “Santosi”, ku në 43 ndeshje, ka shënuar plot 19 gola dhe ka treguar se është rikthyer në formën e tij më të mirë.

Ai preferon të qëndrojë te klubi brazilian dhe madje është i gatshëm për ta mbylur karrierën me këtë ekip.

“Të gjithë e dinë për dashurinë që kam për ‘Santosin’ dhe dëshirën për të luajtur me këtë klub, por nuk varet vetëm nga unë”, ka thënë Gabigol. “Nëse do të varej nga unë, do të qëndroja përgjithmonë tek ‘Santosi’ dhe do të pensionohesha këtu. Por duhet të flasim edhe me Interin, para se të marr një vendim për të ardhmen”, ka theksuar ai.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.