16 mijë hektarë tokë shtetërore për t’u zhvilluar nëpërmjet qiramarrjes

TIRANË, 23 tetor /ATSH/- 16371 hektarë tokë në pronësi të shtetit, të shpërndara në të gjithë vendin në 7563 parcela, do t’i jepen privatëve për t’u zhvilluar nëpërmjet qiramarrjes.

Toka e shtetit jepet me qira kundrejt një afati 30-vjeçar kur përdoret për pemëtore dhe bimë arash dhe 99 vite kur përdoret për ullishte, sipas një udhëzimi që qeveria lëshoi më herët gjatë gushtit të këtij viti.

Vlera vjetore e dhënies me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit shkon nga 5.000 deri 22.000 lekë për hektarë në vit.

Të ardhurat financiare, që sigurohen nga dhënia me qira e tokës bujqësore në pronësi të shtetit, arkëtohen për llogari të buxhetit të shtetit. Qiramarrësi e kryen paraprakisht pagesën e vlerës vjetore të qirasë, brenda tremujorit të parë të vitit përkatës, për të cilin paguhet qiraja

Dhënia me qira e tokave bujqësore në pronësi të shtetit realizohet nëpërmjet procedurës së ankandit. Subjektet e përcaktuara që kërkojnë për të marrë me qira tokë bujqësore shtetërore, paraqesin kërkesën pranë strukturës përgjegjëse të qiradhënësit, që është Ministria e Bujqësisë. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.