UNICEF, mbështetje ngritjes së qendrës sociale shumëfunksionale në Kukës

TIRANË, 22 tetor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu priti në një takim pune përfaqësuesin e UNICEF-it në Shqipëri, Roberto De Bernardi me të cilin diskutoi rreth problematikave sociale, mundësive e mbështetjes që ofron bashkia Kukës në këtë fushë dhe mori mbështetjen për ngritjen e Qendrës Sociale shumëfunksionale për bashkinë.

“Shërbimet Sociale janë prioritet i punës tonë, veçanërisht ndihmës e mbështetjes ndaj shtresave te margjinalizuara te shoqërisë e fëmijëve me aftësi ndryshe”, – u shpreh kryebashkiaku Shehu.

Me tej, Shehu theksoi se ngritja e Qendrës Sociale shumëfunksionale përmes bashkëpunimit me donatorët është një pikë e fortë e bashkisë Kukës, aq më shumë kur kjo është shoqëruar edhe me një staf e personel të kualifikuar duke e kthyer këtë qendër në një model edhe për shumë simotra.

“Tashmë ne synojmë që ky shërbim, përmes një plani social konkret e të mirëorganizuar të shtrihet edhe në disa nga njësitë administrative me numër më të madh banorësh”, – tha ai.

Bashkia Kukës nuk është e kufizuar vetëm me këtë qendër sociale por ka hartuar edhe projekte të tjera për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, duke synuar rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe kushteve qoftë në çerdhe, kopshte, por edhe në institucionet arsimore të të gjitha niveleve.

Kryetari Shehu i kërkoi përfaqësuesit të lartë të UNICEF mbështetje me projekte konkrete për Kukësin, qoftë në shërbimet sociale, arsim, shëndetësi.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Roberto De Bernardi tha se ishte impresionuar pas vizitës në Qendrën e Shërbimeve Sociale, duke e krahasuar me standardet e larta të vendeve të BE-së.

“Pashë një qendër model e shumëfunksionale. Ju përgëzoj për këtë! Kur mora këtë detyrë pashë që UNICEF nuk ishte i pranishëm në Kukës, ndaj vendosa që të shoh nga afër bashkinë e Kukësit dhe mundësitë për nisjen e një bashkëpunimi e mbështetjeje për projekte konkrete”, – u shpreh De Bernardi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.