Pukë/ Përfundon asfaltimi i pjesës qendrore të qytetit

119

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ – Përveç investimeve në infrastrukturën e fshatrave përreth, bashkia e Pukës është duke përfunduar edhe një tjetër investim mjaft të rëndësishëm në brendësi të qytetit, siç është shtrimi me asfalt i pjesës qendrore të qytetit, i cili ndërthur me pedonalen.

Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj bëri me dije për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se shtrimi i kësaj rruge po bëhet sipas standardeve më të mira, pasi kompania që po merret me këtë vepër, është e specializuar vetëm për proceset e asfaltimeve në Shqipëri.

“Procesi i asfaltimit u duk se pati një vëmendje të veçantë nga kompania që po kryen punimet, teksa u angazhuan punonjës e mjete të një kompanie, e cila merret vetëm me proceset e asfaltimeve në Shqipëri”, – u shpreh Gjonaj.

Sipas kreu të bashkisë së Pukës, shtrimi i pjesës qendrore të qytetit do të ketë impakt në rivitalizimin e këtij qyteti, duke treguar edhe detaje mbi ecurinë e punimeve.

“Tashmë pritet që kompania, e cila kryen punimet për rivitalizimin e qytetit të Pukës, të përmbyllë investimin, i cili për pukjanët është nga më të rëndësishmit, teksa ende nuk  është përmbyllur shtrimi me pllaka i sheshit, shatërvani dhe shtrimi me asfalt i shëtitores së liqenit, i cili fillon së shpejti”.

Për t’i dhënë jetë turizmit gjithëvjetor, bashkia Pukë është duke ndërmarrë një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore, si dhe duke krijuar një sërë aktivitetesh kulturore për përthithjen e turistëve vendas dhe të huaj.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.