Muzeu Historik Kombëtar atraksion kulturor për turistët e huaj

137

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Jeta artistike dhe kulturore në kryeqytet çdo ditë e më shumë po tërheq publik, duke treguar se artdashësit e shohin si atraksion për të njohur dhe prekur nga afër fusha të shumëllojshme artistike.

Gjithashtu artdashësit e kryeqytetit tashmë kohën e lirë të tyre e kalojnë në institucionet e shumta kulturore dhe historike që në vendin tonë përherë e më shumë po shtohen dhe ambientet e tyre janë në standarde mjaft të denja për t’i mirëpritur, duke i afruar më shumë me artin e kulturën.

Muzeu Historik Kombëtar i cili synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare, tashmë është shndërruar në destinacionin kulturor më të frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj.

Shifrat tregojnë se gjatë sezonit turistik 1 maj – 15 tetor 2018, numri i vizitorëve në total për vitin 2018 krahasuar me 2017 është rritur me 25,746 %. Ndërsa numri i vizitorëve të huaj për vitin 2018 krahasuar me 2017 është rritur me 27,02 %.

Një risi në Muzeun Historik janë vizitorët vendas të cilët kanë kaluar pritshmëritë duke arritur në një rritje me 54,43% krahasuar me vitin 2017.

Turizmi gjithashtu shihet dhe si shtyllë ekonomike mjaft e rëndësishme dhe për këtë totali i të ardhurave për vitin 2018 krahasuar me 2017 është rritur me 23,4 % në Muzeun Historik Kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeal më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Broncit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.